Gjykata në Beograd ia cakton 30 ditë paraburgim kosovarit të arrestuar mbi pretendimin për krime në Koshare

Gjykata në Beograd ia cakton 30 ditë paraburgim kosovarit të arrestuar mbi pretendimin për krime në Koshare

Personit të arrestuar nga Serbia, me pretendimin për krime lufte në Koshare, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Beograd, Milica Veliçkoviq, ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se ekziston rreziku i arratisjes.

“Kjo që të mos ndikojë te dëshmitarët dhe për shkak se i dyshuari është akuzuar për vepër penale për të cilën është paraparë dënimi me burg mbi 10 vjet, si dhe mënyra e kryerjes së krimit dhe serioziteti i pasojave bëri që opinioni të shqetësohet”, tha Veliçkoviq, shkruan Tanjug.

Sekretari i Zyrës së Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka reaguar pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se policia serbe ka arrestuar kosovarin me iniciale F.K me pretendimet se “ka kryer krime” në Koshare kundër ushtrisë jugosllave.

Haxholli ka thënë se është për keqardhje që Serbia një vend që ka kryer luftë e gjenocid, nuk i ndalon arrestimet.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha të mërkurën se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgime në Serbi, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

“Ne ende nuk kemi marrë përgjigje. Nuk mund të them që do të kemi apo jo përgjigje, por duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka pasur refuzim për bashkëpunim juridik… natyrisht që është goxha e vështirë që mund të kemi përgjigje”, tha ajo.

Në fillim të kësaj jave, Haxhiu tha se i kërkoi përmes një letre javën e kaluar homologes së vet serbe transferimin e shtetasve të Kosovës.

Pesë (5) shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për akuzat për krime lufte. Ato e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Pas arrestimit të një qytetari në Serbi, Haxholli: Të vetmit që kanë bërë krime në Koshare janë forcat serbe

Shpërndaje në: