Gjykata lëshon urdhër-arrest për Marko Roshiqin – Njëri nga të dënuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Marko Roshiq, njëri nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, është arratisur pas gati dy javë ditësh që kur iu shpall vendimi.
Me datë 28.06.2024, gjykata ka shpallë aktgjykimin në këtë çështje penale ku të akuzuarin Marko Roshiq e ka dënuar me 10 vite burgim.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Gjykata Themelore në Prishtinë thotë se i akuzuari nuk ka qenë prezent as në shpallje të aktgjykimit dhe se pas marrjes së vendimit për caktim të paraburgimit, Roshiq nuk e ka konfirmuar nëse e ka pranuar vendimin ose jo.
“I akuzuari M.R është njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes së aktgjykimit. I njëjti nuk ka qenë prezent në shpallje të aktgjykimit, pasi që nuk është obligative pjesëmarrja në shpalljen e aktgjykimit. Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk ka mundur ta arrestojë, pasi që i njëjti nuk ka qenë prezent në sallën e gjykimit edhe përpos faktit se ka qenë i njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes. Me aktgjykimin e shpallur, gjykata i ka caktuar të akuzuarit M.R edhe masën e paraburgimit, ku po me datë 28.06.2024, ka marrë aktvendim të posaçëm me të cilin të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit. Aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, gjykata përmes e-mail ia ka dorëzuar: Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Avokatit Mahmut Halimi dhe të akuzuarit M.R (përmes postës). Të gjithë këta të apostrofuar kanë konfirmuar pranimin e vendimit, përpos për të akuzuarin M.R, nuk kemi ende konfirmim nga posta, nëse e ka pranuar vendimin apo jo”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Gjykata tha se pas informimit nga Policia Kosovës se nuk kanë mundur ta ekzekutojnë vendimin e gjykatës, menjëherë ka lëshuar urdhër-arrest për sigurimin e prezencës së të akuzuarit dhe dërgimin e të njëjtit në paraburgim.
“Tani rasti është me Urdhër-arrest për arrestimin e këtij të akuzuari, e të cilin urdhër e ka në zbatim Stacioni Policor në Mitrovicë”.
Të premten e 28 qershorit, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka dënuar më 20 vjet burgim katër të akuzuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Roshiq u dënua për “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal” lidhur me “vrasje të rëndë”.
Asnjëri nga të akuzuarit nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit në momentin e shpalljes së aktgjykimit.
“Dubrava 12 kat” nuk po bëhet: 3 persona u arratisen nga burgu vetëm në dy muajt e fundit