Gjykata e dënon me 20 vjet burgim të akuzuarin që vrau një person para një viti në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj D.T për veprën penale “Vrasje”.
Ai është dënuar me 20 vjet burgim.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i akuzuari më 16 dhjetor të vitit 2023 në fshatin Dobërçan të komunës së Gjilanit e ka privuar me dashje viktimën A.B..
“Me datë 16.12.2023, rreth orës 20:35 minuta, në fshatin Dobërçan Komuna e Gjilanit, i akuzuari D. T., me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B., në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari përmes telefonit e thërret A. i cili me automjetin e markës Golf IV, vjen te rruga ku ishte duke e pritur i akuzuari, i cili hyp në karrigen e parë të automjetit dhe me automjet kishin lëvizur deri afër ordinancës private “Dr. A.”. Aty pas një mosmarrëveshje verbale në automjet, i akuzuari e sulmon me thikë të ndjerin A. njëherë në trup, ndërsa viktima arrin ta ndal automjetin dhe të del nga automjeti duke ikur për t’iu shmangur të akuzuarit, hynë në oborrin e shtëpisë së Xh. B., ashtu që i akuzuari i vihet pas një ndjekje dhe në terasë para derës së hyrjes së kësaj shtëpie, përsëri e godet edhe gjashtë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa nga kacafytja dhe zhurma e krijuar, nga kjo shtëpi del Xh. B., intervenon për të i ndarë, e kap për trupi të pandehurin dhe e largon nga vendi i ngjarjes, ndërsa tani të ndjerin A. e dërgon në ordinancen private “Dr. A.” aty nga doktori i jepet ndihma e parë mjekësore dhe njëkohësisht mjeku e thërret ndihmën e shpejtë, ndërsa për shkak të lëndimeve të pësuara, tani të ndjerin e hypin në një automjet tjetër deri te rruga e Përplenicës, aty takohen dhe e dorëzojnë A. në automjetin e ndihmës së shpejtë dhe të njëjtën e transportojnë në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilani, ku tani i ndjeri A. për shkak të lëndimeve të pësuara nuk ka mundur të mbijetojë dhe në hyrje të spitalit i njëjti ndërron jetë, ku edhe konstatohet vdekja.”
“Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale; vrasje nga neni 172 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Trupi gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka shqiptuar dënim ndaj të akuzuarit D. T. në kohëzgjatje prej njëzet (20) vjet burgim. Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.”