Gjuha e pabesisë në Parlament, dëmtoi rëndë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, thotë Rushiti
Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, Feride Rushiti, në një diskutim publik ku u fol për punën që çoi deri te nominimi i saj për Nobel, ka thënë se dhuna seksuale gjatë luftës ka lënë pasoja të thella në shoqërinë kosovare.
Ajo ka shtuar se për dhunën seksuale nuk ka pasur diskurs shoqëror tek deputetët e Parlamentit të Kosovës, ashtu siç u diskutonin për të vrarët e të zhdukurit.
”Dhuna seksuale si armë e luftës ka efekt radioaktiv, nuk e atakon vetëm viktimën vertikalisht, por realisht e atakon gjithë familjen. Dhimbjet e pasluftës kanë pasur emër dhe s’kanë pasur emër. Deri sa është folur publikisht për të vrarët, për të zhdukurit, për dhunën seksuale nuk ka pasur diskurs shoqërorë e nuk ka pasur hapësirë që të flitet. Natyrisht që anëtarët e parlamentit kanë qenë pjesë e kësaj shoqërie edhe na është dashur që të punojmë gjatë me ta. Vitin 2013-2014 nuk kemi mundur që të flasim me parlamentar siç flasim sot”, ka thënë ajo.
Rushiti në këtë diskutim ka folur për seancën parlamentare të vitit 2014 ku diskutua ligji në bazë të cilave viktimave të dhunimeve seksuale gjatë luftës do t’u njihej e drejta ligjore dhe respekti.
Ajo sipas ekonomia online, tha se në këtë seancë gjuha që disa deputet kanë përdorur ka qenë gjuhë diskriminuese dhe e urrejtjes.
”Ka qenë e dhimbshme gjuha diskredituese, një gjuhe e urrejtjes, një gjuhe e pabesisë për mënyrën se si është plasuar kjo plagë që reflekton komplet masën shoqërore. Pastaj ato verifikimet përmes gjinekologut, pastaj numrin e diskutonin e kështu me radhë. Po gjithë ky lloj diskursi që mbizotëroi në Parlament na ka shërbyer që të punojmë edhe më fuqishëm. Një moment dua të them që e kemi ndalur televizionin sepse nuk kemi mundur që ta përballojmë. Është një farë lloj dhunimi psikologjik që bëhet kur shoqëria nuk ta njeh plagën”, ka thënë ajo.