Gjobitet KESCO, shpërndau faturat e qytetarëve pa i futur në zarfe
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar gjobë ndaj kompanisë KESCO për shkelja të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Sipas njoftimit, KESCO nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave.
Njoftimi i plotë:
Agjencia për Informim dhe Privatësi Shqipton Gjobë Ndaj Kompanisë KESCo për Shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Prishtinë, 19.08.2024
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), si autoritet mbikëqyrës për zbatimin e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka shqiptuar gjobë ndaj Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KESCo) për mos ndër marrjen e masave të nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka pranuar disa ankesa nga qytetarët (subjektet e të dhënave) lidhur me veprimin se KESCo ka shpërndarë faturat mujore për shpenzimin e energjisë elektrike duke mos i aplikuar masat e sigurisë dhe duke i lënë qasje personave të paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve.
Gjatë shqyrtimit të ankesave, AIP ka konstatuar se KESCo ka dështuar të zbatojë masat e sigurisë për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve, duke shkelur kështu detyrimet e saj ligjore.
Veprimi i Agjencisë për shqiptimin e gjobës ndaj KESCo është ndërmarrë pas fushatës ndërgjegjësuese që Agjencia ka zhvilluar në muajin shkurt të vitit 2024, me të gjitha kompanitë që bëjnë shpërndarjen e faturave, me ç ‘rast ka kërkuar zbatimin e detyrimeve ligjore që këto kompani kanë ndaj konsumatorëve. Me qëllim të përgatitjes së kushteve, Agjencia ka kërkuar nga Kompanitë që deri më 30 qershor 2024, të ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar mbrojtjen e të dhënat personale.
Siguria e të dhënave personale është një e drejtë themelore e qytetarëve dhe mbrojtja e këtyre të dhënave duhet të jetë prioritet për çdo kompani që i përpunon të dhënat personale.
Agjencia për Informim dhe Privatësi do të vazhdoje mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit nga kompanitë private dhe institucionet publike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.