Gjimshiti flet para përballjes me Italinë: I respektojmë, por nuk duhet t’i mbivlerësojmë
Berat Gjimshiti është kapiteni i Shqipërisë në Euro 2024, tetë vite më vonë se në vitin 2016 kur ai nuk u ftua fare nga Gianni de Biasi.
Shqipëria ndodhet në Grupin B, ku përballë ka tre Kombëtare shumë të forta si Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Në ndeshjen hapëse kuqezinjtë luajnë përballë Italisë, derisa Gjimshiti ka folur për këtë duel.
Në një intervistë për ‘Gazzetta Dello Sport‘, kapiteni shqiptar theksoi se kuqezinjtë e njohin mirë Italinë, kundërshtarin e parë që do të përballen në Evropian.
Mbrojtësi që aktivizohet në Serie A me Atalantën, ka thënë se e respektojnë Italinë, por nuk duhet që ta mbivlerësojnë.
“Kur luan kundër një kombëtareje si Italia nuk është se ke shumë avantazhe në favor, por kur e njeh kundërshtarin të shërben shumë për mënyrën si përballesh në fushë”.
“Nëse nisemi mirë kundër Italisë, atëherë do të fitonim besim edhe për ndeshjet e radhës, do të mund t’i menaxhonim më mirë ato”.
“Italia sigurisht që është favoritja të shtunën, unë e di sepse e njoh potencialin e atyre që para tre vitesh u shpallën Kampionë të Evropës. Edhe pse pas vitit 2021, Italia ka pasur ulje dhe ngritje. Janë një kundërshtar që duhet t’i respektojmë, por jo t’i mbivlerësojmë”, deklaroi kapiteni i Shqipërisë.