Gjiganti i UFC e rrahu keq para një restoranti kundërshtarin e tij – Dyshohet se ia theu dhëmbin dhe ia nxiu syrin
Janë publikuar detajet e sulmit të supozuar të Jorge Masvidal ndaj Colby Covington pasi dy rivalët e UFC-së u përfshinë në një rrahje të hënën në mbrëmje.
Policia e Miami Beach lëshoi të martën një raport në lidhje me incidentin që përmend Masvidal si të dyshuar. Emri i Covington ishte redaktuar për shkak se ai ishte viktima, megjithatë burime të shumta kanë konfirmuar për MMA Fighting se Covington ishte viktima në sherr, i cili ndodhi jashtë restorantit Papi Steak, përcjellë Periskopi.
Sipas raportit të policisë, Masvidal përballet me akuza të nxitjes së një sulmi me paramendim.
Me të mbërritur në vendngjarje, policia foli me Covington, i cili u tha atyre se ai ishte “sulmuar nga Jorge Masvidal”. Covington pretendoi se ai doli nga restoranti Papi Steak dhe se Masvidal “vrapoi drejt tij , ku e goditi me grusht dy herë në fytyrë”.
Raporti thotë se Covington u godit një herë në gojë dhe grushti tjetër ishte në syrin e tij të majtë. Covington tha se dëgjoi Masvidal të thoshte: “Nuk duhet të kishe folur për fëmijët e mi”.
Covington shtoi se ai pa “tre ose katër meshkuj të tjerë të panjohur” që i afroheshin në “mënyrë agresive”, kështu që ai u largua dhe hyri përsëri në restorantin Papi Steak, ku kontaktoi policinë”.
Gjatë sulmit të supozuar, Covington ka thyer dhëmbin dhe pësoi një gërvishtje në kyçin e dorës së majtë, thuhet në raportin e policisë.