Gjermania e Franca mesazh Kosovës: Pa kompromis nuk ka normalizim raportesh
Nuk mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë pa kompromis e guxim politik, kanë vlerësuar të enjten presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Macroni vizitoi Serbinë e Sarrazini Kosovën në të njëjtën ditë. Të dy përcollën mesazhin që nga palët kërkohen kompromise për përparim.
“Nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe në përputhje me rrethanat, nëse s’ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”, ka deklaruar presidenti Macron në konferencën e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në Beograd. Në këtë konferencë, u nënshkrua marrëveshja që Serbia të blejë për gati 3 miliardë euro 12 aeroplanë luftarakë “Rafale” nga Franca.
Ndërsa pas takimeve me udhëheqës të shtetit në Kosovë, emisari Sarrazini nga Aeroporti i Prishtinës u shpreh se nga palët kërkohen kompromise, teksa ato i ka ndërlidhur me perspektivën evropiane të Kosovës e Serbisë, si dhe të rajonit të Ballkanit.
“Erdha në Prishtinë dhe javën e ardhshme do të udhëtoj në të gjithë rajonin për të përgatitur rezultatet konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, për të ecur përpara në rrugën e duhur. Por për këtë duhen kompromisi dhe ndonjëherë edhe gatishmëria për lëshime, për të rënë dakord për marrëveshje politike, të cilat nuk janë të lehta për Serbinë, dhe nuk janë të lehta as për Kosovën”, ka thënë Sarrazin.
Para se të largohet, Sarrazin ka takuar liderë të institucioneve dhe të partive opozitare.
Veç Sarazinit, të enjten në Kosovë ka qëndruar edhe ndihmëssekretari i NATO-së, Thomas Goffus.
Ai fillimisht ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ndër temat e diskutimit ka qenë edhe Ura e Ibrit, hapjen e së cilës e ka paralajmëruar kryeministrit Albin Kurti.
Përmes një komunikate, në Presidencë thanë se në takim me zyrtarin e NATO-s, Osmani ka folur për rëndësinë e një plani të përbashkët për hapjen e Urës.
Gjermania dhe shtetet e tjera të QUINT-it i kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Kurti për mungesë koordinimi sa i përket çështjes së Urës. Ato kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.
Ndërkaq Misioni i NATO-s në Kosovë ka paralajmëruar se nuk do të hezitojnë të ballafaqohen me këdo që cenon sigurinë në veri.
Një ditë më herë kryeministri Kurti tha se janë duke i vijuar konsultimet me ndërkombëtarët për çështjen e Urës dhe të njëjtën kohë po i kryejnë “detyrat e shtëpisë” për hapjen e Urës. Ai përmendi se ende janë në pritje të raportit preliminar pas testimeve që kreu mbi Urën një kompani e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës.