Gjermania e ashpër ndaj Kurtit: Të respektohet plotësisht sundimi i ligjit

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar në lidhje me mos paraqitjen e Kurtit të martën në Prokurorinë për të dëshmuar në rastin e “Rezervës shtetërore”.
Nga kjo ambasadë thanë se presin që sundimi i ligjit dhe procedurat të respektohen nga të gjithë.
“Jemi plotësisht dakord me deklaratat e bëra nga misionet e tjera. Ne presim që të respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe të respektohen procedurat dhe proceset përkatëse nga të gjithë”, ka thënë për Klanin zëdhënësi i ambasadës, Christian Böttcher.
Por, i pari i Qeverisë të hënën e kaluar, nuk e la pa folur rreth kësaj teme. Fajin për mosparaqitjen e tij Kurti ia la Prokurorisë.
“Unë e mirëpres Prokurorinë e Shtetit në Zyrën e Kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët, hetuesit kanë ardhur për kryeministra, madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe si të pandehur, prandaj nuk ka asnjë arsye që kjo të mos zbatohet”.
“Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime, nëse prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që e ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit, ai nuk humb kohë”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë se Kurti në vend se të paraqitej në Prokurori për të dëshmuar, zgjodhi të hedhte disa lopata me ciment në Gjilan, në nisjen e punimeve për një çerdhe.
Kjo ishte hera e katërt që ai e shpërfill ftesën e Prokurorisë.