Gjermania dhe partnerët pritet t’ia sigurojnë Kosovës skanerët për kontrollin e mallrave në kufi
Pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndryshimin e masës për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia, Gjermania e ka kthyer sërish në agjendë çështjen e skanerëve të teknologjisë së lartë për kontrollin e mallrave në kufi.
Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Christian Bottcher ka deklaruar se Gjermania është e prirur të mbështesë Kosovën në përmbushjen e nevojave të saj të sigurisë duke ofruar skanerët që emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin i kishte ofruar kryeministrit Albin Kurti.
“Pjesë e kësaj [mbështetjeje] do të jenë edhe partnerë të tjerë. Skanerët duhet të sigurohen sa më shpejt që të jetë e mundur në përputhje me rregullat dhe rregulloret për prokurimin publik dhe në përputhje me nevojat në terren”- ka thënë Bottcher për KALLXO.
Skanerët, siç ka deklaruar ai, janë pjesë e një marrëveshjeje të mëhershme. Bottcher ka përkujtuar se fillimisht skanerët u ofruan nëse hiqet bllokimi i mallrave dhe meqenëse kryeministri Kurti më parë hodhi poshtë idenë e hapjes së kufirit për mallrat serbe më herët, ata ishin hequr nga “tryeza”.
“Tani është hapur rruga për të vazhduar sërish me skanerët”- tha ai.
Ndërsa në pyetjen se nëse me këtë veprim të Kurtit janë përmbushur kërkesat e Sarrazinit, ai tha se “kjo është në thelb ajo që është kërkuar nga Kosova- [pra] po”.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha se “tregtia e lirë jo vetëm që nxit ekonomitë lokale dhe rajonale, por gjithashtu hap dyert për pjesëmarrje në iniciativat rajonale dhe europiane”.
Një ditë më parë Kurti tha se kanë pritje që do të arrijnë suksese të plota edhe në takimin e CEFTA-s më 09.10.2024, e edhe në Samitin e Berlinit më 14.10.2024.
Edhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë tha se ka mirëpritur heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdares.
‘Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes”- thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e BE-së.
Kryeministri Kurti, më 07.10.2024, ka njoftuar se është ndryshuar masa e sigurisë për mallrat serbe, nga “kufizim” siç ka qenë deri më tani, në “kontroll të shtuar”. Ai tha se aktualisht kanë zgjedhur që ky kontroll i shtuar të bëhet vetëm në pikën kufitare në Merdarë, sepse sipas tij, aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është afër. Kurti paralajmëroi se mallrat do të zhbllokohen edhe në pikat tjera kufitare me Serbinë, kur të sigurohen skanerët nga aleatët ndërkombëtarë.
Shefi i Qeverisë tha se po presin edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian e më së shumti Gjermania, që t’i sigurojnë Kosovës këto pajisje, pasi “vetë kanë thënë se do të përpiqen t’ua sigurojnë”.
“Në ndërkohë edhe vetë Dogana e Kosovës është duke blerë skanerë. Ne nuk po u themi vetëm ndërkombëtarëve na ndihmoni, por na ndihmoni se edhe ne vetë po shpenzojmë”- tha ai, duke shtuar se siguria e Kosovës është siguri edhe për ndërkombëtarët.
Kurit tha se e gjithë Qeveria janë marr me këtë punë.
“Nga unë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, këshilltari im Jeton Zulfaj kanë biseduar dhe negociuar me Bashkimin Europian, në veçanti me Gjermaninë”- tha ai.
“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.
Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.