Gjermani: Një ndër çdo pesë banorë me origjinë nga jashtë

Gjermani: Një ndër çdo pesë banorë me origjinë nga jashtë

Gjermania është vend emigracioni. Siç njoftoi Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden thuajse një nga pesë qytetarë ka emigruar në Gjermani nga jashtë.

Sipas llogaritjeve të bazuara në statistikat e regjistrimit të fundit të popullsisë në Gjermani nga rreth 82,7 milionë banorë që ka vendi 67,1 milionë kanë lindur këtu, kurse 15.6 milionë kanë ardhur nga jashtë. 40 për qind e këtyre emigrantëve kanë marrë nënshtetësinë gjermane.

Vendet nga të cilat ka ardhur numri më i madh i të huajve që jetojnë në Gjermani janë Polonia (12 për qind), Turqia (9 për qind) dhe Rusia (7 për qind). Siria dhe Ukraina përbëjnë secila nga 5 për qind të të huajve.

Rritje e ndjeshme e numrit të ukrainasve

Megjithatë numri i ukrainasve që kanë ardhur në Gjermani për të shpëtuar nga lufta ka vazhduar të rritet ndjeshëm që nga data e përfundimit të regjistrimit të fundit të popullsisë në maj të vitit 2022.

Regjistrimi bazohet në një vlerësim kompleks të të dhënave dhe në një anketë me qytetarët, e cila organizohet rreth çdo dhjetë vjet. Rezultatet e publikuara gjenden edhe në internet në faqen e Zyrës Federale të Statistikave./DW/

Shpërndaje në: