Gjendje e rëndë në Trepçë, minatorët nuk po marrin paga që dy muaj – I bëjnë thirrje Qeverisë që sa më parë të ekzekutohen rrogat

Gjendje e rëndë në Trepçë, minatorët nuk po marrin paga që dy muaj – I bëjnë thirrje Qeverisë që sa më parë të ekzekutohen rrogat

Kanë mbetur edhe dy ditë që muaji korrik të përfundoj, por minatorët e “Trepçës” nuk i kamë marrë pagat as ato të muajit qershor.

Vonesat në ekzekutimin e pagave është mjaft shqetësues, ku në këtë mënyrë po rëndohet gjendja financiare e një minatori.

Në një prononcim për Periskopin, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Treçës, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se është e pakuptimtë se si të mos ekzekutohen pagat në kohë për këtë kategori.

“Duke mos pasur paga, minatorët janë duke punuar në kushte ekstreme. është një paknaqësi e madhe. Ekzekutimi i pagave dhe sigurimi i shujtave duhet të bëhet sa më parë sepse kushtet janë ekstreme.

Qeveria duhet ta mbajë përgjegjës menaxhmentin, sepse vetë ata e kanë zgjedh. është e pakuptimtë se qysh edhe dy ditë po përfundon muaji Korrik dhe pagat as të muajit Qershor nuk kanë dalë. Kjo qasje është e pakuptimtë”, tha z. Jonuzi për Periskopin.

Tutje, i pyetur nëse ka pasur takim me dikë nga Qeveria, përkatësisht ministren Rizvanolli, Jonuzi deklaron se asnjëherë nuk kanë arritë për t’u takuar.

“Jo, s’kemi pasur takim. Bordi është takuar me minatorët, por nuk ka ekzekutim të pagave. Duke e marrë parasysh inflacionin, po e përsëris për të disatën e herë se ata janë në gjendje të rëndë. Kjo është alarmante.

I bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë të marrë veprime konkrete sa nuk është bërë ende vonë“, deklaroi z. Jonuzi në fund për Periskopin.

Ndryshe, Sa ishte në opozitë, Kryeministri Kurti, kritikonte fort partitë e tjera që, sipas tij, e kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” në “kushte mesjetare”, shkruan Periskopi.

Gjatë një vizite në fund të muajit janar të vitit 2021, Kurti thoshte se të mos investosh në “Trepçë” është krim.

“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë…” – deklaronte Albin Kurti.

Pas disa muajsh, erdhi në pushtet. Premtimet e tij me gojë ishin të mëdha, por jo edhe të realizueshme.

“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime në “Trepçë” për vitet 2022 dhe 2023. Me projektin tonë, për Fondin Sovran e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik “Trepçën” – thoshte Kurti më 20 tetor 2021.

Në vitin e fundit të mandatit të rregullt të Qeverisë Kurti, minatorët e “Trepçës” ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.

Shpërndaje në: