Gjendet trupi i viktimës së fundit nga përmbytjet në Bosnje
Është gjetur trupi i viktimës së fundit nga përmbytjet vdekjeprurëse dhe shkatërruese që goditën pjesë të ndryshme të Bosnje e Hercegovinës në fillim të këtij muaji.
Viktima e fundit, e cila ishte kërkuar në zonën e Konjicës pas vërshimeve në atë zonë, është gjetur në liqenin e Jabllanicës, tha të mërkurën kryetari i komunës së Konjicës, Osman Qatiq.
Viktima është një burrë 62-vjeçar nga fshati Buturoviq Polje, afër Konjicës, i cili ishte zhdukur nga vërshimet e 4 tetorit në këtë pjesë të vendit.
“Është viktima e fundit e përmbytjeve që është kërkuar në zonën e Konjicës ditëve të fundit”, tha Qatiq për Radion Evropa e Lirë.
Qatiq theksoi se trupi i tij i pajetë u gjet në liqenin e Jabllanicës, dhe se bashkëshortja e tij humbi jetën gjithashtu nga këto përmbytje.
Në përgjithësi 27 njerëz humbën jetën nga përmbytjet dhe rreshqitjet e dheut që goditën Bosnjën më 4 tetor, prej tyre 19 në Donja Jabllanica, fshat në Jabllanicë, pesë në Konjicë, dhe tre në Fojnicë.
Të martën, rreth 2.000 njerëz morën pjesë në varrimin e 19 njerëzve që humbën jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në Donja Jabllanica.
Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e fuqishme goditën pjesë të Bosnjës jugore dhe qendrore më 4 tetor, duke shkatërruar shtëpi, rrugë dhe duke ndërprerë rrymën dhe bllokuar qasjen në disa fshatra.
Ekipet e shpëtimit nga Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi ndihmuan në kërkimin e personave të zhdukur në zonat e përmbytura gjatë javës së kaluar, ndërsa njësitë e inxhinierisë ndihmuan në përpjekjet e tjera të rimëkëmbjes.
Qeveria e Kosovës njoftoi javën e kaluar se do ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën me 200.000 euro, pas përmbytjeve vdekjeprurëse. /REL/