Gjendet i vdekur në lumin “Drini i Bardhë” 26-vjeçari që ishte raportuar i zhdukur
26-vjeçari Arban Hisari është gjetur i vdekur në lumin “Drini i Bardhë”, pasi ditë më parë ishte raportuar i zhdukur.
Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se viktima u gjet mëngjesin e së martës.
“Me datë 14.01.2025, rreth orës 08:20, policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pa jetë në lumin “Drini i Bardh” në afërsi të urës se fshatit Rugove. Me të marrë këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dalë në vend ngjarje, ku kane vërejtur një trup të pa jetë. Pas kontrollimit të viktimës nga njësit përkatëse, në rrobat e viktimës janë gjetur dokumentacion personal në emër të Arban HISARI, DL.05.06.1998 si dhe rrobat të cilat i kishte viktima, ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjaret, andaj besohet se trupi i pa jete është i viktimës së lartcekur”, tha Bytyqi.
Ai bëri të ditur se për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit.