Gjendet 7 vjeçari që humbi në Artanë – ShKShK njofton se fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore
Gjatë ditës së djeshme u raportua se një fëmijë i moshës 7-vjeçare kishte humbur orientimin në Artanë dhe si rezultat familjarët dhe Policia po e kërkonin atë.
Familjarët sot kishin njoftuar edhe stafin e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës të cilët filluan punën menjëherë, por pas disa orësh ata u njoftua se Policia dhe familjarët tashmë e kishin gjetur vogëlushin.
7 vjeçari është i sigurt me shëndet dhe pranë familjarëve të tij.
Postimi i plotë i ShKShK-së:
Më datë 10 nëntor 2024, në orën 12:20, kemi pranuar një telefonatë nga familjarë të shqetësuar për humbjen e një fëmije rreth 7 vjeç në rajonin e Artanës (Novobërdës). Fëmija kishte dalë për të luajtur në malin pranë shtëpisë dhe, sipas të gjitha gjasave, kishte humbur orientimin.
Familjarët, së bashku me Policinë e Kosovës, kishin kërkuar për rreth 3 orë pa sukses, duke i bërë më pas kërkesë Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës për ndihmë shtesë. Ekipi kujdestar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës u nis me shpejtësi dhe arriti në vendngjarje në orën 13:30.
Me të mbërritur, ekipi u njoftua se fëmija tashmë ishte gjetur nga familjarët dhe Policia e Kosovës, dhe po kthehej i sigurt në shtëpi. Fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa lëndime.
Ky rast përfundoi pa nevojë për ndërhyrjen e ekipit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës. Fëmijës i urojmë shëndet dhe jetë të gjatë.