Gjenealogjia e një i thënçin shteti

Gjenealogjia e një i thënçin shteti

Dua të jem i shkurtë në këtë dhjetëvjetor të shpalljes së Pavarësisë. I shkurtë dhe ripërkujtues  se njeriu nuk duhet gënjyer vetveten. Në themel ekzistencial, gjenealogjia, arsye të nisjes, quaje si të duash të idesë së mëvëtësimimit të këtij vendi, gravitojnë pafuqia, ndjesia e injorimit dhe taktizimi (ky i fundit s’është as sa një copëz strategjie, meqë për nga natyra është ad hoc dhe njëfarë rrote e mbramë e improvizimeve) vendor plotësuar nga intervencioanizmi i huaj më 1999 si dhe mundësimi i shpalljes para 10 vitesh. Pra një triadë në vete e brishtësisë dhe fragjilitetit.

Pavarësia e Kosovës nuk lindi si përpjekje shekullore për çlirim siç e thonë ligjërimet zyrtare, meqë ne s’bëmë pothuajse kurrfarë përpjekjesh të tilla, pos pakënaqësive sporadike për jetë më të mirë, njëra nga të cilat njëra u kthye në pretekst amerikan për ndërhyrje. Por paraprakisht ideimi i mëvetësisë lindi në situimin se ç’të veprohet dhe si të veprohet në kushtet e rënies së bllokut lindor komunist/Jugosllavisë. Ajo lindi edhe nga përballja me një Shqipëri krejt të brishtë dhe të varfëruar. Kjo nuk do të thotë se ndër vite nuk pati individë e grupe të caktuara që vërtetë e deshën çlirimin dhe hoqën të zitë e ullirit për atë ideal, por se  ne nuk i dhamë asnjëherë mbështetje kolektive ndonjë përpjekjeje vendimtare të çlirimit. Luftën e fundit të viteve 1998-1999 e mbështetëm diku 1.85% prej nesh.

Gjenealogjia e kësaj letargjie përkon pikërisht me të 70-tat e famshme të glorofikuara edhe sot ndër ne. Kjo sepse ishte pikërisht ajo gjysmëkohë periudhë kur liria u këmbye me mirëqenien, politika me kulturën, dhe revolta me uljen e represionit/sigurinë. Rezultati: nolens volens një brez i konvertuar politikisht, identitarisht e kulturalisht. Ndoshta prej pak gjërave të mira që ndodhen qe një lloj çlirimi i posanisur gruas, por kurrënjeherë vendimtar.  Kësodore Jugosllavia ishte krejt e vonë në hapat vendimtar modernizues në Kosovë, në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, kurse tren i posanisur për elitat kosovare në kuptimin specifik të fjalës.

Elitat kosovare që postuluan idenë e mëvetësimit, ndiheshin disi të çliruara, por ky çlirim më shumë shenjonte çlirim nga tradita native se sa çlirim të supozuar nga Serbia/pushtetimi i saj. Me fjalë tjera vonesa vepruese e Jugosllavisë krahas me “hershmërinë” e rënies  (matur gjithnjë në raport me variablin e vonesës), ishte pikërisht vektori mbi të cilin u strumbulluan këto elita. U krijuan vonë nga Jugosllavia, që pas 10-20 viteve nisi të zhbëhej. Kurse UP-ja, prej edhe nga dolën të katën tre brezat e fundit, më shumë se sa triumf i nacionalizmit shqiptar, ishte instrument ideologjik kontrolli  i tendencës integrative të Jugosllavisë. E kur ndodhi që Jugosllavia ra, kjo më pas edhe krijoi hutinë e madhe: kemi apo s’kemi pari? Na prijnë apo s’na prijnë? Nëse po kush? Cili është petku ynë identitar? Njerëzit tani nuk dinin se a ta konsideronin Jugosllavinë kolonizatore, a t’i dilnin në mbrojtje; a të uleshin në tavolinë me RFJ-në e mbetur apo me grupet shqiptare  ilegale, si dhe/sa të shpresonin në Shqipëri e Perëndim. Nënkuptueshëm pamë se në llumin tonë provincial nuk na lidhte asgjë, ndaj si një lloj opiumi ndaj vetes u shkua me idenë e mëvetësisë. Gënjeshtër në të cilën e jetojmë edhe sot.

Gjenerata e re, sado e palexuar që të jetë ka të drejtë në hutimin e saj sot, e shprehu apo nuk e shprehu së jashtmi këtë huti. Kjo sepse as vetë dorëzanët e veprimeve mes viteve 1988-1991 nuk kishin dhe nuk kanë as sot shpjegim të qartë se si brenda dite “fluturonim” nga kërkesa për autonomi më të gjerë, tek Republika (kujt i bën që fjala “republikë” mbarsë traditë mijëravjeçare!),  e më pas tek referendumi për shkëputje të plotë, krahas me e ekzistimin e grupeve ilegale që donin bashkim kombëtar. Krejt kjo gjersa në terren gjithë çfarë  ndrronte  ishte zëvendësimi i patrullave policore të RFJ-së, në punkte. Nuk kanë shpjegim sepse ishin veprime adhoc-u, diktuar nga shkëputja e posangjarë nga ai përjetim i hershëm i një dore të vonuar të shtetit. 1. Shkëputje e posangjarë. 2. Përjetim i hershëm  (çlirimi personal). 3. Dorë e vonuar shteti. Ndaj edhe gjithë çfarë ngjau më pas, ishte një pafuqi e improvizim që të shitej si maturi e urti.

Ibrahim Rugova u pavarësua nga fshati i tij, rrethina e tij, dhe u bë studiues letërsie falë asaj Jugosllavie që ia kishte pushkatuar gjysh e babë. Ai si edhe shumë studiues tjerë zgjodhën atë rrugë, pikërisht për t’i ikur policitetit. Por tani kur po binim nën shtypjen e plotë të Serbisë dhe kur kërkohej policiteti më i madh i mundshëm, rastisi t’i binte pikërisht atij kjo detyrë. Se çfarë pasoi dihet: qyqarllëku u shit për dinjitet. Përballja e pasluftës më kapitalizmin e ktheu edhe ilegalen e deridjeshme në një dashnore sa fatlume e sa fatkeqe të intervencionizmit.

Është e vërtetë se lëkundje e kërcime të tilla pati kudo në botën lindore, dhe se brishtësi të shkallës së njëjtë u panë që nga ish-BRSS-ja deri në Shqipëri. Por pothuajse asnjërit prej këtyre vendeve nuk i rastisi të kërkoj shpëtim në vend të çlirimit. E kërkim-shpëtimi në vend të çlirimit shenjon një gjendje të rëndë shpirtërore. Kolektive. Ndaj edhe eteri i idesë së mëvetësisë së Kosovës është i mbrujtur nga sëmundja që ia ha shpirtin. Sepse kërkim-shpëtetimi i mbështetur nga intervencionizmi, mashtron. Mashtron meqë ka qenë shpëtim nga kanosja ekzistenciale e jo çlirim i subjektit politik. Madje as lindje e tij. Ky shtet i kapur dhe i rrënjosur thellë në provincializmin, patriarkalizmin dhe mujshinë për të vjedhur nuk mund ta ketë gjatë. Politikanët në Beograd, Tiranë, Prishtinë e Shkup, bëjnë mirë të mos stisen, por tu bëjnë të qartë perëndimorëve se të paktën nuk mund t’u tregojnë çfarë nuk duam.

 

Shpërndaje në: