Gjashtë muaj pa asnjë hap drejt ndryshimit e Ligjit për kinematografinë
Në gusht të vitit që shkoi, ministri i Kulturës, Kujtim Shala, pasi e kishte tërhequr Projektligjin nga Kuvendi kishte thënë se procedurat për hartimin e tij, duhej të niseshin nga fillimi. Por, MKRS-ja nuk e ka gati as konceptdokumentin që është hapi i parë drejt inicimit të procedurave për hartimin e Projektligjit.
Madje, nuk e ka formuar as grupin punues për përgatitjen e koncepdokumentit. Nuk ka as një afat se kur do të nisë ky proces.
“Ende nuk është formuar grupi punues për hartimin e konceptdokumentit, i cili duhet të miratohet në qeveri për të vazhduar më pas hartimin e Projektligjit”, ka thënë Feim Hoxha, drejtor i Departamentit ligjor në MKRS. Sipas tij, nëse koncepdokumenti do të jetë i gatshëm brenda një periudhe të shkurtër, Projektligji për kinematografi mund të hyjë sivjet në pakon legjislative të Qeverisë.
Por për drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, kjo çështje nuk është urgjente. Sipas tij, punët në fushën e kinematografisë janë duke shkuar mirë edhe me Ligjin aktual që është në fuqi prej vitit 2004.
Shoqata e Producentëve e Kosovës kishte qenë më e zëshmja sa u përket mospajtimeve me disa nene të Projektligjit për kinematografinë.
Kryetarja e kësaj Shoqate, Blerta Basholli, ka thënë se hartimi i një projektligji të ri duhet të fillojë sa më shpejt.