Gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për të akuzuarit për dhënie ryshfeti në kufi
Të akuzuarit për dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit, Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj u dënuan me dy vite burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë (së bashku), pasi iu aprovua marrëveshja për pranimin e fajësisë e arritur mes tyre dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Aktgjykimi në fjalë u shpall të martën nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, katër akuzuarit e lartcekur secili veç e veç për veprën penale “Dhënie ryshfetit” u dënuan me nga 6 muaj burgim me kusht dhe me nga 1 mijë euro gjobë.
Sipas gjykatëses Musliu-Selimaj, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet, nëse brenda periudhës verifikuese prej dy viteve të akuzuarit nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
Ndërsa, dënimin me gjobë të njëjtit u obliguan që ta paguajnë në afat prej 5 muajve, pasi që ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.
Kurse, në rast se të akuzuarit dënimin me gjobë nuk mund ta paguajnë, ky dënim do t’iu zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.
Po ashtu, të akuzuarit secili veç e veç u obliguan që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.
Paraprakisht, në seancën e mbajtur në po të njëjtën ditë gjykata aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur në mes PSRK-së dhe të akuzuarve me mbrojtësit e tyre.
Sipas prokurorit special Naim Abazi, marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur me vullnet të lirë e në prani të mbrojtësve të të akuzuarve, si dhe në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Andaj, prokurori i propozoi gjykatës që marrëveshja për pranimin e fajësisë me dënimin e rekomanduar të aprovohet nga gjykata.
Këtë marrëveshje e kanë mbështetur edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Faik Halili, Nexhmedin Sejdiu, Qëndrim Arifi dhe Visar Musa, të cilët deklaruan se e njëjta është arritur me vullnet të lirë nga të mbrojturit e tyre dhe propozuan që si e tillë të aprovohet nga gjykata.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 21 maj 2024, gjykata kishte veçuar procedurën penale për të akuzuarit Ahmet Abazi, Sabri Spahiu, Bajram Krasniqi dhe Dardan Isaj, meqenëse të njëjtit kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Kurse, të akuzuarit tjerë në këtë rast: Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Çaviq, Mirko Jevtiq dhe Arben Aliu ishin deklaruar të pafajshëm për marrje dhe dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 shkurt 2024, shtatë zyrtarët doganorë: Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Caviq dhe Mirko Jevtiq, si dhe zyrtari policor Arben Aliu, po akuzohen për “Marrje ryshfeti”. Ndërsa, Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj akuzoheshin për “Dhënie ryshfeti”.
Sipas aktakuzës, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Bajram Krasniqi akuzoheshin me veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.2 të Kodit Penal. Po ashtu, i akuzuari Dardan Isaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.