Gjarpri u bë hardhucë
Jo rrallë, të lë përshtypjen se as çlirimi e as pavarësia e Kosovës nuk do të ndodhnin pa të, sikurse edhe procesi integrues i shtetit tonë do të jetë fare i pamundur pa idhullin e Enver Hoxhajt, i cili pati deklaruar në Konventën e PDK’së se emri i Hashim Thaçit do të jetojë përherë, për aq sa të jetojë vetë Republika e Kosovës.
Zaten njerëz si Hoxhaj, e që për fatin e keq të Hashim Thaçit, ka mjaft shumë përreth tij, historikisht kanë ndikuar në përforcimin e bindjes tek ky i fundit, se pa të, historia e Kosovës jo që do të ishte ndryshe, por Kosova rrezikonte të mbetej fare pa histori. Ironikisht, ky njeri që edhe me profesion është historian, në vazhdimësi ka bërë thirrje që të mos merremi me të kaluarën, me historinë, por të orientohemi nga e ardhmja, e cila për të duket të mos jetë me shumë se një flamur i kaltërt me dymbëdhjetë yje të verdha në formë rrethi në mes. Ndonëse, e gjithë veprimtaria e tij, në gjithë pasluftën, ishte në kundërshtim me vlerat që proklamon BE’ja, ku Thaçi ende nuk e “anëtarësoi” Kosovën.
Do të merrte shumë kohë të hapnim debat në lidhje me kontributin e Hashim Thaçit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Veçanërisht për luftën, ku në turbullirën prej të cilës s’e shohim qartë raportin e Thaçit me luftën, më meritori është vetë Thaçi. Më saktë, deklaratat e tij kontradiktore dhënë për radiot lokale e televizionet qendrore të vendit – ku ai e quan veten si njeriu kryesor i luftës, dhe deklaratat dhnënë për agjencitë e huaja të lajmeve – me ç’rast thotë se ka qenë larg vijave të frontit. Aq vështirë është të merret vesh e vërteta në këtë mes, saqë as Baton Haxhiu në librin e tij “Lufta Ndryshe”, nuk ka arritur dot ta bëjë më të dukshme këtë tablo të turbullt të kësaj periudhe interesante.
Le të themi që Kosova në vitin 1999 u çlirua, pa u marrë me atë se si e sa, e duke e lënë anash edhe kontributin e Thaçit, i cili në atë kohë njihej si “Gjarpri”. Le të themi, po ashtu, se me 17 shkurt 2008, Kosova arriti mevetësinë e saj, ashtu siç e arriti, të paplotë, dhe as këtu, s’po merremi me njeriun i cili e lexoi Deklaratën e Pavarësisë në Kuvend, ku askund nuk përmendej akronimi “UÇK”, ky treshkronjësh, duke u thirrur në të cilin, Hashim Thaçi erdhi në pushtet.
Tani, le të flasim për rrugën evropiane të Kosovës, prej të cilës Hashim Thaçi “hoqi dorë”. Pse ky njeri, i cili e “çliroi” dhe “pavarësoi” Kosovën, e la në gjysmë “anëtarësimin në familjen europiane”?! Ç’u bë më këtë “ëndërr”, e cila në renditjen e “ëndrrave” të tij personale, ishte e treta dhe përmbyllësja?!
Për një vështrues të vëmendshëm të zhvillimeve politike në vend, është e njohur strategjia e këtij personi i cili tashmë është edhe në krye të shtetit, të cilën ky e kishte menduar si më efikasen ndaj politikës ndërkombëtare dhe për të cilën ne kemi marrë vesh veç nga një komunikim i tij me Adem Grabovcin, në aferën “Pronto 2”.
“Hajt se luj koqe me ta” ishte fjalia nga ai komunikim, që na njoftonte me strategjinë “koqeluajtja”, me të cilin Hashim Thaçi po “synonte” që ta afronte Kosovën kah BE-ja.
Një plan i këtillë – stretegjia “koqeluqjtja” – doli të mos jetë aq i suksesshëm. Me gjithë dështimin e saj, ne mësuam shumë nga ajo. Mësuam fillimisht se për ç’arsye nuk u bë realitet asnjëherë premtimi i dhënë i Hashim Thaçit, pas zgjedhjeve të vitit 2010, se brenda 15 muajve Kosovës do t’i liberalizoheshin vizat, pra në vitin 2011.
Mësuam më pas, pse Kosovës nuk iu liberalizuan vizat as në vitin 2012, 2013 e 2014. Kuptuam se pse pas këtij viti, për liberalizimin e vizave u vendos një kriter i ri e i padrejtë, ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, i cili ende s’dihet me iniciativën e kujt u vendos, por që dihet se ai nuk u vendos për asnjë shtet, madje as për vetë Malin e Zi, të cilit iu dha liberalizimi vizave pa ratifikuar demarkacionin me ne. Kuptuam zellin e tij të jashtëzakonshëm për të çuar përpara çdo koncesion të dëmshëm të arritur me Serbinë, e cila nuk ndërroi në asnjë moment qëndrimin karshi Kosovës.
Pra, i gjithë dështimi me njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe ecurinë e proceseve integruese si kryeministër i vendit, më pas dështimet në anëtarësimin në organizata si UNESCO, si Ministër i Jashtëm në qeverinë e Isa Mustafës, e kanë përgjigjen tek strategjia “koqeluajtja”, e cila mbase do të ishte produktive e do të kishte kuptim si “strategji” në fëmijërinë e tij, ndaj bashkëmoshatarëve të tij në Burojë.
Pas gjithë kësaj, kemi zhvillimin më interesant në ecejaken e tij në politikë. Duke harruar “synimin nr.3”, ai nuk la gur pa lëvizur dhe dhunshëm arriti të instalohet në krye të Presidencës. Në synimin e tij të ri që lidhet me karrierën e tij personale, pjesë e pazarit u bënë terminale e poste diplomatike. Pas të gjitha këtyre “marrëdhënieve tregtare” që e mundësuan vendosjen e tij në krye të vendit, personazhi më kontravers i skenës politike në Kosovë, filloi angazhimin e tij që të paraqitej para popullit të Kosovës si simbol i unitetit dhe figure mbipartiake, i cili tashmë do të jetë gardiani kryesor i ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Flasim për tendencën e tij të qartë, që Kosovën, e cila formalisht është republikë parlamentare dhe deri më tani ka funksionuar si republikë qeveritare, tash e tutje ta ketë pamjen e një republike presidenciale.
Kështu, sigurisht i ndikuar edhe nga pasiguria e tij për të ardhmen e në skenën politike por edhe për raportin me lirinë, Hashim Thaçi, i cili historikisht qe në gjendje që të sakrifikojë çdo gjë të Kosovës për t’ia ruajtur vetes pushtetin, arriti ta bindte veten edhe që të përkulej para pllakave përkujtimore të serbëve, në të cilat UÇK’ja cilësohej si një organizatë terroriste.
Pra, ai pranoi një cilësim të tillë për organizatën për të cilën pretendonte se ishte ndër themeluesit kryesorë, vetëm dhe vetëm që t’i bindte të tjerët, veçanërisht miqtë ndërkombëtarë, se ai është një historian që e ka harruar historinë dhe s’ndjen asgjë për të.
Mbase duke mos qenë i kënaqur me pamundësinë për të qenë faktor siç mund ta ketë menduar në fillim, i ashtuquajturi president, Thaçi, bëri përpjekje titanike të etablohet në sytë e qytetarëve të Kosovës si personazhi i cili ndaloi “trenin rus”. Duke mos arritur efektin e synuar, së fundi, Thaçi, ndërmori një “iniciativë” tjetër – ndryshimin e Ligjit për FSK’në, drafti i së cilës për kohë të gjatë po qëndronte në zyrat e Ministrisë së FSK’së. Përvetësimi i kësaj çështjeje nga Thaçi, përcjellë nga deklarimet e tij të stilit “mjaft është mjaft, ushtria do të bëhet”, nxitën edhe reagime nga ShBA dhe NATO, që ishin kritike për hapat që ishin ndërmarrë. E fare në fund, për të tentuar të na paraqitet si “hero i gjallë”, Hashim Thaçi, paralajmëroi dorëheqjen e tij nëse nuk bëhet ushtria.
Pavarësisht gjithë këtyre manovrimeve të Hashim Thaçit, i cili në luftë u quajt “Gjarpër” e në paqe “Xhorxh Uashington”, Kosova duhet dhe do të ekzistojë, përherë, me pavarësi e sovranitet të plotë, me ekonomi të zhvilluar e me ushtri. Edhe emri i Hashim Thaçit do të ekzistojë, mbase jo përherë e siç e mendon Enver Hoxhaj, por do të mbahet mend si njeriu që dha çdo gjë nga vendi i tij për të ruajtur pushtetin e tij. Si ai që u transformua radikalisht, vetëm për të mbijetuar në skenën politike.
Do të mbahet mend si njeriu i cili dikur ka folur për transformimin e FSK’së në FAK, por arriti ta transormojë vetëm veten nga “Gajrpër” në “Hardhucë”.
Autori është zyrtar për media në Lëvizjen Vetëvendosje