Giresse flet për gjasat e Kosovës, presionin për kualifikim dhe ndeshjen e nesërme
Kombëtarja e Kosovës nesër (e shtunë) do ta nisë ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Nesër, “Dardanët” do të ndeshen me Izraelin në udhëtim, me fillim nga ora 18:00.
Ekipi i Kosovës ka udhëtuar sot drejt Tel Avivit, atje ku ka mbajtur edhe konferencën e fundit për media para kësaj përballjeje.
Në konferencë u paraqit përzgjedhësi Alain Giresse, i cili tha se duhet angazhim maksimal për të arritur rezultatet pozitive.
“Është gjithçka e përgatitur. Secili futbollist normalisht se do të ketë rolin e tij. Secili do të jetë pjesë e taktikës se nesërme, mirëpo nuk mund të flasë më shumë. Gjasat e Kosovës nuk varen vetëm nga nesër, por nga gjithë kampanja kualifikuese. Kjo është gjëja më dertiminuese për të gjithë. Duhet të angazhohemi sa më shumë për të arritur rezultatin që kërkojmë. Për taktika nuk flasë para ndeshjes”, tha fillimisht trajneri francez.
Tutje, Giresse foli edhe për gjasat e Kosovës për të arritur kualifikimin e parë dhe historik në një garë të madhe, si dhe për presionin që është mbi “Dardanët”, pasi thuajse nga të gjithë po kërkohet kualifikimi.
“Nuk jemi këtu për t’u marrë me diskutime se sa janë gjasat. Jemi këtu për të luajtur dhe për të përparuar sa më shumë. Qëllimi ynë është që të kërkojmë më të mirën e mundshme nga secila ndeshja. Nuk do të analizojmë se cilat janë gjasat për t’u kualifikuar. Besoj se është normale që të ketë presion të tillë, qoftë nga publiku, mediat apo Federata. Por, unë jam në rregull me këtë. Ne duhet që këtë presion ta kthejmë në shpresën që kemi. Këtë presion duhet ta kthejmë në motiv”, tha 70-vjeçari.
Giresse pati pyetje edhe për kundërshtarin e nesërm, Izraelin. Ai nuk veçoi ndonjë futbollist, pasi tha se: “11-të lojtarë janë të rrezikshëm te Izraeli, ky fakt nuk mund të neglizhohet në asnjë formë”.
Për përballjen mes Izraelit dhe Kosovës janë shitur të gjitha biletat. Përzgjedhësi i “Dardanëve” u pyet se si mund të ndikojë kjo.
“Besoj se kjo është normale nëse flasim për motivim. Ne jemi mysafirë dhe normalisht se vendasit duhet ta përkrahin sa më shumë ekipin e vet. Ne duhet të jemi të fokusuar sa më shumë te loja. Duhet ta përballojmë një situatë të tillë që është normale në futboll”, tha Giresee.
Alain Giresse në fund u pyet edhe nëse Kosova mund të përfitojë nga fakti që Izraeli ka një ekip më të ri dhe pa përvojë në nivel të tillë garash.
“Nëse Kosova është ekip me më shumë eksperiencë, mund të provojmë të fitojmë nga ky fakt”, ishte përgjigja e tij.
Kujtojmë se pas ndeshjes me Izraelin, Kosova do të jetë nikoqire e Andorrës, më 28 mars.