Gianni De Biasi flet për ndeshjen ndaj Serbisë: Rrezikuam jetën dhe për mua ajo është eksperienca më e keqe si trajner
Gianni De Biasi është padyshim trajneri më i suksesshëm në historinë e kombëtares së Shqipërisë nisur nga fakti që kuqezinjtë për herë të parë mbërritën në finalet e një Europiani, pikërisht nën drejtimin e italianit.
Megjithatë, rruga deri në Francë 2016 nuk ka qenë e lehtë dhe tekniku De Biasi para ndeshjes miqësore së Shqipërisë ndaj Spanjës ka treguar në një intervistë për median katalanase “Ara”, se disa prej lojtarëve që i afroi në kombëtare i gjeti nëpërmjet internetit pasi nuk kishte një arkivë specifike për ta, ndërsa shtoi se ndeshja kundër Serbisë është edhe eksperienca e tij më e keqe në rolin e trajnerit.
“Duhej të ndërtoja një projekt nga fillimi dhe të bindja lojtarë të cilët kurrë më parë nuk kishin qenë pjesë e kombëtares. Shikoja në internet për emra apo mbiemra shqiptarë dhe më pas gjeja videot e futbollistëve. Nëse ai lojtar do të qëllonte të kishte ëndrra dhe ambicie atëherë ne do ta kontaktonim. Kisha me vete edhe një avokat për të kaluar burokracitë, ndërsa kuptoja më mirë edhe ligjet shqiptare. Sapo ia dolëm t’i jepnim kombësinë lojtarit të parë, me të tjerët pastaj u bë më e lehtë.
Ndeshja me Serbinë? Kur u shortuam me ta, menjëherë mendova si do të ishte e mundur të luanim kundër tyre. Disa të afërm dhe familjarë të lojtarëve të Shqipërisë kishin humbur jetën në luftë prej serbëve. Në momentin kur nisi rrëmuja në stadium, nxituam për në dhomat e zhveshjes. Arbitri kërkoi të rifillonte lojën, por ne refuzuam në mënyrë kategorike. Rrezikuam jetën dhe për mua ajo është eksperienca më e keqe si trajner”, u shpreh De Biasi.