Gërzeza

Gërzeza

Nga Dreni Himbeqa

“Kulmi i skandalit”, “më mirë të mos deklarohet për asgjë”, “gafë i radhës”, “deklaratat e saj ngjasojnë me një editorial të kryeredaktorit të gazetës ‘Zëri i Popullit’”, “tragjikomedi”, “marrëzi politike”.

Këto janë vetëm disa nga cilësimet e analistëve politikë, ish-diplomatëve e ligjëruesve universitarë të artikuluar pas intervistës së fundit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës, dhënë për gazetën austriake, Der Standard.

Larg realitetit politik, Gërvalla e cila supozohet të jetë koka e politikës së jashtme të Kosovës dhe personi i cili krijon, zhvillon, thellon dhe zgjeron marrëdhëniet e vendit me shtete e tjera, ka shënuar skandalin e radhës diplomatike.

Ajo ka kritikuar ashpër gjithë diplomacinë perëndimore, duke i konsideruar ata si një trupë që “s’dëshiron të shohë dhe të dëgjojë” dhe si një grup që bënë “gabime të rënda strategjike”, të cilat mund ta fusin në luftë rajonin.

Për sociologun dhe analistin politik, Artan Muhaxhirin, tashmë është e parashikueshme – marr parasysh edhe skandalet e tjera diplomatike të Gërvallës në arenën ndërkombëtare – që deklaratat e kryediplomates në gazetën austriake kanë shkaktuar të qeshura keqardhëse nëpër kancelaritë amerikane dhe evropiane.

Pas sarkazmit fillestar me këtë naivitet të shtirur, lehtësisht supozohet që kanë pasuar ndjenjat e dhembshurisë për nivelin e tillë autodestruktiv të konceptimit të politikës së jashtme”, thotë ai për Albanian Post.

Deklaratat e shefes së diplomacisë së Kosovës, apo thënë ndryshe ligjëratat e dhënë ndaj Perëndimit, sipas ish-ambasadorit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifit, jo që konsiderohen skandaloze, por janë tërësisht të padobishme.

“Politika e Jashtme ka qenë shumë me e avancuar në vitet e 90-ta kur s’kishim asnjë njohje e as nuk ishim shtet sesa që është sot. Intervista e kryediplomates është më shumë një editorial i kryeredaktorit të gazetës ‘Zëri i Popullit” të viteve 80 që shante revizionizmin Sovjetik dhe imperializmin Amerikan dhe krejt shtetet e tjera demokratike”, potencon Arifi për Albanian Post.

Artikulimet e ministres Gërvalla, në anën tjetër, për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshin, janë vazhdimësi të narracionit të Qeverisë së Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

Për fat të keq ‘guximi’ i tillë i kryediplomates së Kosovës, thënë më së buti, është një gafë e radhës që shpërfaq një qasje potencialisht të dëmshme për marrëdhëniet tona me Perëndimin”.

Gërvalla – e cila potencoi në këtë intervistë se “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”, duke iu referuar kërkesës së BE-së dhe SHBA-së që kryetarët e komunave në Veri të punojnë jashtë zyrave të tyre komunale – për Blerim Canajn, ish-konsullin e Kosovës në Gjermani, nuk e ka intelektin që të bëjë një analizë të duhur të një politike më të thjeshtë e lëre më një politike të kontekstit më të gjerë.

Prandaj, sipas tij, deklaratat e kryediplomates, e cila nëpër media ndërkombëtare kritikon diplomacinë e shteteve mike, “për shkak të dështimeve të saja dhe kastës së tanishme politike, janë kulmi i skandalit”.

“Tanimë nuk është hera e parë që qeveria ofendon politikanët e shteteve të fuqishme. Nga naivë, të padëgjueshëm, pa dije strategjike, kjo është një retorike të cilën nuk e kanë përdorur ndoshta as në luftën e ftohtë shtetet më komuniste. Prandaj, ky është skandali i radhës i Gërvallës. Bazuar në logjikën e sajë të funksionimit, me siguri që do të ketë edhe skandale të tjera”, pohon Canaj për AP.

Deklaratat e Gërvallës e cila në intervistën e saj të fundit i ka cilësuar disa diplomatë perëndimorë “problematikë”, aleancat perëndimore si “jo të dëgjueshëm”  e ndërsa ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak-un, të anshëm, sipas Muhaxherit janë marrëzi politike, meqë në realitet diplomatët emisarë nuk vendosin kokë më vete për orientimet strategjike të procedurave madhore.

“Ata aty nuk janë në cilësinë e individëve privatë, por si reprezentues institucionalë dhe përçues të qëndrimeve të palëve të përfshira – pra, si urë lidhëse ndërmjet tyre për lehtësime komunikimesh. Çfarë logjike ka të thuhet që Miroslav Lajçak, politikan nga Sllovakia, shtet i cili kontribuon me 0.6 për qind në GDP-në e përgjithshme të BE-së, t’ua diktojë mendimet dhe interesat e veta personale fuqive si Gjermania, Franca, Italia, ndërsa ato të mos e hetojnë, ose ta pranojnë, këtë gjë?”, pyet Muhaxheri.

Por, a ndikon vokabulari i ministres në marrëdhëniet – edhe ashtu të tensionuara – ndërmjet perëndimit dhe Kosovës?

Sipas Muhaxhirit vazhdimi tragjikomik i kësaj arrogance të pabazuar në asnjë fakt realist, gjithsesi do të rezultojë me suspendim të dialogut – projektit më të rëndësishëm gjeostrategjik dhe gjeopolitik në Ballkan dhe më gjerë dhe rrjedhimisht edhe me thellim të mëtutjeshëm të izolimit të Kosovës, përfshirë shtyrjen e fazës definitive të përmbylljes të procesit të shtetësisë.

“Qasja e këtillë është projektim i stilit tonë mediokër politik në skenën globale. Nëse te ne është bërë zakon që gati të gjitha projektet e rëndësishme shtetërore të bëhen me improvizime dhe pa minimumin e planifikimeve afatgjate, të dominuara nga mënyrat stihike të të vepruarit të individëve të pushtetshëm që dalin mbi institucionet – bota politikisht normale s’është kështu”.

Në anën tjetër, për Fetoshin një qasje e tillë nuk e çon askund Kosovën, përkundrazi vazhdimi i kryeneçësisë mund të shkaktojë pasoja të rënda politike për vendin.

“Të kërkosh nga aleatët ndërrimin e diplomatëve, ndërkohë që ata flasin vazhdimisht me zërin e qendrave të tyre, është jo vetëm non-sens por edhe ofenduese për ta. Mendoj që kryediplomatja s’do të duhej në asnjë mënyrë të bëhej pjesë e spin-ave në raport me faktorët relevantë ndërkombëtarë, për shkak se është përgjegjëse për politikën e jashtme dhe e di më së miri shkallën e agravimit të marrëdhënieve”.

Ndërsa për Canajn, marr parasysh pozitën në të cilën gjendet Kosova, me marrëdhënie të ftohura me një rruzull tokësor, retorika e një kryediplomateje do të duhej të ketë orientimin e rregullimit të raporteve, pa treguar frustërim, e jo shkatërrimin e tyre.

“Duket sikur filozofia e tyre është apokaliptike. Si duket kasta e tanishme politike kështu e kanë konceptuar trajtimin e çështjes që e kanë krijuar, pra si betejë të fundit në mes ‘të mirës’ dhe ‘të keqes’ së imagjinuar dhe definuar nga ta. Retorika e tille, natyrisht që do e thellojë më shumë situatën, edhe ashtu të rëndë”.

Shpërndaje në: