Gërxhaliu: Papunësia në Kosovë është rreth 38%, arroganca e pushtetit ndaj sektorit privat nuk garanton punësim
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gëxhaliu ka thënë se përqindja e vërtetë e papunësisë në vend është shqetësuese.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se papunësia është më shumë se katër për qind.
Duke cituar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ai ka thënë:
“Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, popullsia e përgjithshme e Kosovës arrin në 1,560,000 banorë, nga të cilët 1,174,836 janë mbi moshën 18 vjeç. Në këtë grup, 425,499 persona janë të punësuar në sektorin publik dhe privat, ndërsa 85,000 të tjerë janë të vetëpunësuar në ndërmarrje mikro apo start-up-e që nuk janë të regjistruara formalisht si punësim. Po ashtu, 71,000 persona janë studentë në Kosovë që ndjekin institucionet publike dhe private të arsimit”.
Sipas tij, kur merren paraysh këta faktorë, numri i të papunësuarve del të jetë mbi 559 mijë me një shifër prej 38 për qind.
“Megjithatë, një problem shqetësues është se statistikat zyrtare shpesh manipulohen për të dhënë një pamje jo të plotë të tregut të punës në vend. Kur merren parasysh të gjithë këta faktorë, del se numri i të papunëve është rreth 559,337 persona, duke e çuar përqindjen e papunësisë në një shifër alarmante prej 38%.
Ndërkohë, raportimet zyrtare shpesh nuk reflektojnë realitetin e përditshëm. Për shembull, sipas Barometrit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), papunësia në Kosovë raportohet të jetë vetëm 4%, bazuar në një mostër prej 1,000 personash të anketuar. Kjo shifër ngre shumë pikëpyetje rreth metodologjisë së përdorur dhe nuk mund të merret si tregues për të gjithë vendin, pasi është përqendruar në një mostër të kufizuar.” – ka thënë ai.
Tutje Gërxhaliu ka përmendur edhe pushtetin:
“Prandaj, është e nevojshme që institucionet të përqendrohen në hartimin e politikave që adresojnë realitetin ekonomik të vendit dhe që punojnë për uljen e papunësisë në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke mos u mbështetur vetëm te sondazhet e kufizuara që nuk përfaqësojnë gjendjen e përgjithshme dhe rele të popullsisë.
Distanca dhe aroganca e pushtetit përball sektorit privat nuk garanton punësim”.
Postimi i plotë:
Gerxhaliu: Përqindja e Vërtetë e Papunësisë në Kosovë është shqetësuese dhe më shumë se 4%
Edhe pse jemi në procesin e…
Posted by Safet Gerxhaliu on Saturday, September 21, 2024