Gejët në pavetëdijen e shoqërisë sonë

Gejët në pavetëdijen e shoqërisë sonë

Filmi kosovar “Martesa” triumfoi në një festival filmi në Talin të Estonisë. Ky film, siç mora vesh nga ‘traileri’ dhe nga një kritikë filmi[1] e tematizon çështjen e homoerotizmit në shoqërinë tonë. T’i japim disa shpjegime: një martesë normale pritet të ndodhë mes një burri dhe një gruaje në-të-tridhjetat. Por, burri takohet me një ish të dashur, i cili kishte qenë jashtë vendit, dhe e kupton se ende është në dashuri me të. Sidoqoftë, martesa ndodh dhe erotizmi gej degidiset në fatin e një pamundësie. Ka një pranim të dhimbshëm se homo-erotizmi është sëmundje kundruar nga vlerat e shoqërisë. Epo, ç’t’i bëjmë. Realizëm i trishtë.

Por, të ndalemi në një pikë: kryepersonazhi e dashuron një gay pavetëdijshëm. Ai është i shtyer nga presioni shoqëror që ta bëj të parrokshëm për veten e tij atë dashuri, dhe të martohet me një grua. Dashuria i bëhet e qartë vetëm kur ai takohet me ish të dashurin. Rrjedha e bërjes i tjetërsuar dhe i pranueshëm, ndërpritet. Ashtu si gjallimi në pavetëdije i dashurisë dhe seksualitetit të tij.

Në shoqërinë tonë janë të lejuara me ligj martesat mes personave të gjinisë së njëjtë. Por, ligji ka dështuar kaherë të përkthehet në vizione gnoseologjike, antropologjike e morale – megjithëse është e qartë se brenda tij ndryhen që të trija. Të mësuar me nënshtrim të pavullnetshëm ndaj rendeve ligjore që imponoheshin nga vende të tjera, kosovarët i shohin edhe këto ligje si boshe, jokomunikuese me vlerat e tyre dhe jo si bartëse të një fryme të caktuar. Kësisoj, shoqëria nuk ka ngurruar që në hapësirën private, në mënyrë të vrazhdë e të pamenduar, ta konstruktojë normativitetin e saj. Të jesh gej apo lezbike, mund të jetë e lejueshme nga ligji, por nuk është nga shoqëria.

Pra, te filmi kemi një dashuri të fshehur në pavetëdije. Dhe pikërisht ky është vendi ku fshihen një mori gjërash tjera, si rrjedhojë e një politike cenzuruese e ndaluese të sferës joinstitucionale të pushtetit moral. E rrokshmja, e dukshmja ose e vetëdijshmja janë mosvet të ngushta, dhe mbahen të ngushta, në mënyrë që të jenë më të kontrollueshme e të mbikëqyrshme. Por, ky nuk është ndonjë zbulim i madh. Të tilla janë edhe shoqëritë e tjera. E dënueshme është nevoja e madhe e njerëzve për pranim shoqëror. Për t’u rehatuar.

Individët po e humbasin luftën ndaj shoqërisë. Dhe prandaj, vihet re kërkesa e madhe për të ikur prej saj. Pikërisht shkaku i kësaj ngushtësie të imponuar në konceptim që i bën shpejt gjërat të përsëritshme, e në përsëritje mosvet bajate. Shumë prej të rinjëve që u larguan nga Kosova në fluksin e viteve 2014 e 2015, e përmendnin një fjalë mjaft simptomatike të këtij problemi: perspektivën. Ata thoshin se në Kosovë nuk ka perspektivë. Ndoshta, shumica e mendonin vetëdijshëm një perspektivë më të mirë ekonomike, por nuk do mend që në pavetëdijen e tyre mund të ketë pasur edhe dëshirë për një perspektivë të re kulturore e vlerore – që do t’iu hiqte barrën e njëmijëenjë ndrydhjeve që iu ka ngarkuar mbi shpinë shoqëria.

Në “Konformistin” e Moravias mund të ilustrohet ajo që ndodh përditë në shoqërinë tonë. Konformisti i Moravias vuan nga të qenit i ndryshëm nga të tjerët. Ka obsesione të çuditshme dhe pamje si vajzë që nxitë përqeshje – në një shoqëri që do të prodhonte fashizëm, e që lëngonte të ishte sa më normale. Dino, arrin sukses të madh kur konformohet. Dhe padyshim, me mësymje të tilla është edhe kryepersonazhi i filmit “Martesa”. Pra, duhet të bësh atë që duhet të bësh. Nëse dëshirat nuk përkojnë me detyrën, duhet të modifikohet vetë dëshira. E nëse nuk mundesh, duhet të krijosh një shtresë dëshirash më sipërfaqësore, që do t’i qesin në pavetëdije ato të vërteta. Por, pse duhet të ndodhë kjo? Pse të mos ketë një luftë të vazhdueshme ndaj shoqërisë. Individi, thjesht duke qenë individ, është armik i shoqërisë. Dhe natyrisht, duhet të jetë vazhdimisht i panënshtrueshëm ndaj kërkesave të saj.

Kjo politikë [nuk po them normativitet, meqë ka një mori normativitetesh meqë nuk ka instanca për to] kufizimesh e ndalimesh çon në një mprehtësi të mosvetshme në paragjykime. E bën secilin të jetë shumë efikas në evidentimin e ‘mangësive’ të tjetrit. Njerëzit bëhen të njëjtë, dhe mësyjnë madje që të jenë sa më të njëjtë, në mënyrë që të mos jenë të paragjykueshëm. Por, është e çuditshme vetë kjo ikje nga paragjykimi sepse shpreh nënshtrim.

Tensioni në shoqëri është mjaft i dukshëm. Kemi formësimin e një vargu identitetesh ekskluzive, që synim parësor e kanë superioritetin vetjak dhe nënshtrimin e tjetrit që nuk bën pjesë në atë identitet. Kësisoj, nuk është e rrezikshme veç të jesh gej. Por, edhe të mendosh në mënyrë kritike. Të mos jesh brenda asnjë bashkësie. Të sulmosh vlerat e shoqërisë. Ose, të përpiqesh të zgjerosh gjuhën dhe kuptimet. Askush nuk lodhet që t’i përkrahë ato përpjekje. Përkundrazi, komunikimet e ‘papëlqyera’ poashtu stigmatizohen. Madje, shumë rëndë. Dhe kësisoj, shterpësia komunikuese riciklohet e riciklohet.

Të jesh i pranueshëm nënkupton të fallsifikosh ekzistencën. Ndërkohë, të jesh i pëlqyer nënkupton të fallsifikosh komunikimin vleror në të mirë të asaj që i konvenon shoqërisë.

Megjithatë, nga shoqëria nuk mund të pritet tjetërçka. Shoqëritë në thelb janë të vona e të dhunshme. Fundja, pa luftën e individëve asgjë nuk ndodh. E në art, ashtu siç ndodh edhe te “Martesa”, duhet nxitur edhe më shumë përplasja mes individit dhe shoqërinë. Por ku, jodetyrimisht duhet të fitojë vazhdimisht shoqëria e të konformohet individi.

[1] http://www.cineuropa.org/nw.aspx?t=newsdetail&l=en&did=343473

Shpërndaje në: