Geci në Speciale: Pas familjes Jashari tentuan ta likuidojnë familjen tonë, ata që e shkruan komunikatën s’janë shqiptarë
Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Fadil Geci, tha se pas familjes Jashari, tentuan që ta likuidojnë familjen e tij, duke përfshirë edhe vëllanë e tij.
Ai gjithashtu tha se ata që shkruan komunikatën 59-të nuk munden me qenë shqiptarë dhe se duhet të iu bëhet analiza e ADN-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitarit iu kërkua që të tregojë se a ka ndonjë rast konkret ku dikush nga LPK-ja ka thënë që Qendra e Këshillit të Emergjencave që ishte në shtëpinë e Gecit duhet të ndryshonte.
“Veç bisedë që është ba, veç bisedë që është luhatë ajo dihet se kah ka ardhë ajo frymë. Këta e pamë ma vonë me komunikatën 59. Mbas familjes Jashari, tentuan që të na likuidojnë familjen tonë, vëllain tonë dhe me e heq prej ndikimi në atë terren me rrena e shpifje që është turp. Mendoj që ata njerëz që kanë shkruar komunikatën 59-të, duhet me ua bë ADN-në se mundem me qenë qergash e jo shqiptarë”, tha Geci.
Dëshmitarit iu kërkua që të tregojë se kush janë personat që kanë kërkuar që të ndryshohet vendi i Këshillit të Emergjencave, por përgjigja e tij nuk u dëgjua.
Ndërsa, prokurori James Pace menjëherë pyeti dëshmitarin a e ka bërë Jakup Krasniqi ndonjë pohim të tillë në publik. Kjo pyetje nxiti reagimin e mbrojtjes së të akuzuarit, duke thënë se kjo është pyetje orientuese, e që u rrëzua nga trupi gjykues.
“Prej Prishtine, thojke Zoti ju ndihmoftë, Zoti ju ndihmoftë, Zoti ju ndihmoftë e na ishim në luftë, dikur erdhi ai u bë kryesori e na nuk dishim cila është e vërteta. Prej Prishtine në telefon se janë kanë atëherë një telefon me rrjet për çdo ditë nashta është shumë, por kur ka mujt thojke Zoti u ndihmoftë, po edhe ajo është fjalë e mirë se na ka ndihmu Zoti”, tha Geci.
Geci ironizon me Selimin: Rexha ka harruar që Gecët janë të parët që kanë luftuar në Prekaz