Gazetari rumun: Nuk mund të këndosh “Serbi, Serbi” para një populli të masakruar nga Serbia në stilin mesjetar, vetëm 25 vjet më parë
Gazetari dhe komentues sportiv rumun Narcis Drejan ia bëri të qartë popullit të tij dhe tifozëve që ditën e ndeshjes Rumani-Kosovë provokuan keq shtetin e Kosovës dhe popullin në tërësi.
Thirrjet “Kosova është Serbi” dhe “Serbi, Serbi” kanë qenë të pranishme gjatë gjithë ndeshjes Rumani-Kosovë zhvilluar mbrëmjen e së premtes në Bukuresht. Jo vetëm kaq por është vërshëllyer edhe himni dhe janë hedhur sende të forta në fushë. E gjitha kjo në mënyrë të përsëritur detyroi kapiteni e Kosovës Amir Rrahmani që në minutat shtesë të ndeshjes kur rezultati ishte 0-0 të thotë “mjaft” dhe të tërheqë ekipin në dhomat e zhveshjes.
Drejan thotë se nuk mund të këndosh “Serbi, Serbi” para një populli të masakruar nga Serbia në stilin mesjetar, vetëm 25 vjet më parë.
“Një tufë banditë, shumë me precedentë penalë, mendojnë se është mirë të marrësh një shtet që kaloi tmerret e luftës”.
Romanian journalist Drejan:
You can’t chant “Serbia, Serbia” in front of a people massacred, slaughtered by Serbia in medieval style, just 25 years ago.
A bunch of thugs, many with criminal records, think that it’s cool to take on a state that went through the horrors of war. https://t.co/6QATef4fWv pic.twitter.com/aaIkDqoT2c
— Admirim (@admirim) November 18, 2024
Pas kaq ditësh, UEFA vendosi dje në favor të Rumanisë për ndeshjen e ndërprerë ndaj Kosovës të premten e kaluar, duke i gëzuar rumunët me një fitore me rezultat zyrtar, 3:0.
E ky vendim u kundërshtua fuqishëm nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila paralajmëroi se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv – CAS në Lozanë, shkruan “Gazeta Express”.
Por, Kosova nuk është e vetmja palë e pakënaqur dhe që konsideron se u dëmtua nga Komisioni Disiplinor i shtëpisë së futbollit evropian.
Nga ky vendim është prekur edhe Suedia pasi me fitoren ndaj Kosovës, Rumania u bë ekipi më i mirë i Ligës C në Ligën e Kombeve në përgjithësi dhe iu rritën gjasat për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.
Me një barazim mes Rumanisë dhe Kosovës, Suedia në fakt do të ishte ekipi më i mirë i Ligës C, por me këtë vendim e bëri një hap prapa pasi suedezët e mbyllën grupin me 16 pikë, kurse rumunët me 18.
E suedezët, të cilët u prekën nga ky vendim, kanë paralajmëruar po ashtu se do të ankohen në CAS ndaj vendimit të UEFA-s, të cilin e konsiderojnë si të padrejtë dhe duke e favorizuar një palë.
Pse është aq e rëndësishme të jesh ekipi më i mirë i Ligës që i takon?
Katër fituesit e Ligave, A, B, C e D, të cilët nuk përfundojnë në dy vendet e para në kualifikimet e rregullta të Botërorit, do ta kenë mundësinë që të luajnë në “play-off” për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke iu bashkuar në këtë fazë 12 ekipeve kombëtare që do të përfundojnë në vendet e dyta në grupe të eliminatoreve.
Për këtë arsye, suedezët nuk e përjashtojnë mundësinë e ankesës.
“Ne po shpresonim që vendimi i UEFA-s të vinte para lojës sonë”, deklaroi menaxheri i Kombëtares, Stefan Petterson pas fitores së Suedisë të martën mbrëma, përcjell “Gazeta Express”.
E menaxheri i futbollit në Federatën Suedeze të Futbollit, Kim Källström thotë se kjo Federatë po i shqyrton krejt opsionet e saj, duke mos e përjashtuar mundësinë e ankesës.
“Pas fitores sonë ne e kemi pritur njoftimin e UEFA-s për rezultatin e ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës. Tash erdhi vendimi, i cili nga ana e jonë është negativ. Vendimi ka të bëjë kryesisht me skuadrat e përfshira, por jemi duke e shqyrtuar mundësinë e ankesës. Është e trishtueshme që sjellja jashtë fushës ka një ndikim në rezultatin sportiv dhe kjo ndikon si në skuadrat e përfshira, ashtu edhe tek ne”, u shpreh Källström.
Kombëtarja e Kosovës u tërhoq nga fusha në fundin e ndeshjes me Rumaninë në Bukuresht teksa rezultati ishte i barabartë, 0:0.
Thirrjet raciste ndaj ekipit Dardan bënë që lojtarët të vendosin të mos kthehen më në fushë dhe gjyqtari e mbylli kështu lojën pas një pritjeje prej afro 50 minutash.