Gazetari Ridvan Berisha: Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë kthyer në pula, mozomokeq, mos kofsha në lëkurën e tyre
Gazetari Ridvan Berisha gjatë një interviste dhënë Periskopit ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, raport ky që e konsideron korrupsionin qeveritar si një ndër problemet kryesore.
Duke folur për “heshtjen” e presidentes Osmani karshi këtij raporti, Berisha vlerësoi se Osmani nuk po mundet të shkëputet nga Kurti.
Tutje gazetari Berisha tha se të dy, si Kurti ashtu edhe Osmani “nga figuratizimi i tyre si hero janë kthyer në pula”
“Raporti i DASH nuk flet vetëm për prezencë të korrupsionit , flet edhe për dhunën në baza gjinore flet për një sistem të brishtë të drejtësisë, flet për rastin Dehari, flet për shumë gjëra të tjera që realisht e paraqesin gjeografinë pikëlluese politike të sotme kosovare. Presidentja është në përpjekje për ta krijuar një identitet të pavarur nuk po mundet të shkëputet nga zotëri Kurti. E ka të vështirë për ta krijuar këtë identitet…”, tha Berisha.
“Presidentja mendoj që në matjet e sotme ka rënie siç ka edhe kryeministri Kurti. Partia ose ish-partia e saj “Guxo” në bazë të sondazheve nuk e kalon as pragun. Mendoj që pikëllimi është i madh i njerëzve. Disa guxojnë ta shprehin e disa jo, por shqetësimi është jashtëzakonisht i madh në rritje me qeverisjen e brendshme që është katandisur në të gjitha drejtimet e me qeverisjen e jashtme po shohim që kryeministri Kurti e presidentja Osmani po them me metaforë nga figuratizimi i tyre si hero janë kthyer në pula, s’dua t’i ofendoj kafshët por Kurti duket kështu. Mozomokeq mos kofsha në lëkur tij”, ka thënë Berisha.