Gazetarët, këta “injorantë” të gjithëditur

Gazetarët, këta “injorantë” të gjithëditur

E di, tanimë edhe kritika është e pamjaftueshme.

Por nëse është ende e vërtetë se autokritika, qoftë dhe forma më ironike e saj, mbetet një nga elementet e rëndësishëm të unit shoqëror të një individi, mendoj se më shumë arsye për ta bërë këtë duhet të ketë autokritikë në kohën tonë është vetë gazetari.

Pavarësisht se unë vetë, siç edhe u shpreha, kam bërë pjesë në këtë kategori për shumë e shumë vjet, madje dhe në pozicione të ndryshme (si korrespondent, zyra e shtypit dhe botues), e ndjej si detyrë të them sot dy fjalë “jo të mira” mbi sektorin aktual të informacionit.

Së pari po rendis të metat e këtij profesioni sot:

– aprovimi i gjithçkaje (thënë ndryshe kompromisi);

– keqinformimi i publikut dhe manipulimi me vetëdije i opinionit;

– frika.

Rreth të parës mjafton të kujtojmë se të gjithë gazetarët, në mënyrë stereotipike dhe me një gjuhë të automatizuar thonë, shkruajnë dhe pyesin gjithnjë të njëjtat gjëra. Madje shpesh here këtë shprehin në të njëjtin rend kronologjik, duke treguar një shterpësi dhe mungesë tmerruese kreativiteti.

Dikur ishte ndryshe. Gazetari ishte elokuent, përdorte me zhdërvjelltësi disa stile ligjërimesh, të cilët i zotëronte mirë, ishte spontan, improvizues dhe të kujtonte se ky zanat kishte ruajtur diçka nga stili i Demostenit apo i Ciceronit.

Përveçse pak edicionesh të rrallë, gazetarët e ditëve të sotme janë thuajse të gjithë njëlloj.

Ata madje arrijnë deri aty sa përsërisin të njëjtat fraza, në të njëjtat vende dhe me sloganët më në modë të konformizmit të shkërmoqur informativ. Perspektiva është një dhe e vetme, dhe po kështu, edhe opsioni semantik, sikur ka vetëm një pikë vështrimi dhe vetëm një mënyrë për të rrëfyer faktin.

Për t’u bindur për shterpësinë dhe mungesën e imagjinatës së gazetarëve sot mjafton të shfletosh një gazetë apo të dëgjosh një edicion informativ.

E kupton mjaft mirë se një profesion i tillë është katandisur në çështje stampash, stampa fjalish dhe personash që flasin njëlloj, modelohen njëlloj dhe që në mënyrën më qeshakake edhe ngjajnë si të qenkëshin vëllazëri e një barku.

Përsa i përket bjerrjes së dytë duhet thënë që gazetari i sotëm është i paditur (me përjashtime mjaft të rralla).

Kjo në kuptimin që kur e dëgjon teksa ai/ajo hap gojën, e kupton qartë që ky individ lexon pak ose aspak.

Dhe këtu unë e kam fjalën për librat. Pas kësaj kupton se ky njeri nuk udhëton në vende të panjohura dhe se larmia e burimeve të tij të informacionit është tepër e varfër. Këto tipare janë ndoshta më thumbueset, më dekurajueset ndër të gjithë tiparet dhe cilësitë që duhet të ketë gazetari.

Duket se atij i mungon bota dhe njerëzit e saj. Itinerari i tij është i thjeshtëzuar: redaksi, internet, zyrë, studio, kafene. Ky me gjasë duhet të jetë dhe shkaku kryesor i paditurisë gjer në injorancë të thellë dhe i aprovimit të gjithçkaje që ndodh, pa guxuar ta kundërshtojnë a t’i kundërvihen.

Kjo gjë, përveç varfërisë tematike sjell dhe shterpësi fjalori. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një të folur më pak elokuent.

Problemi kryesor këtu është paaftësia e gazetarëve për të diskutuar si profesionistë, si të barabartë me të ftuarin, të folurit në mënyrën e duhur dhe të qënit i mirëinformuar, me të intervistuarin.

Vërejeni një gazetar të sotëm kur interviston, kur citon, kur dialogon dhe kur ndërton një monolog. Të gjitha këto ai i bën në mënyrën më vulgare, me një mungesë parapërgatitjeje të dukshme dhe me shprehje nga më banalitet dhe më të rëndomtat të të shprehurit.

Më qesharak ai bëhet sidomos kur këmbëngul në argumentet e tij të pabazë. Në këtë pikë ai bëhet fyes, nervangritës dhe një polemizues i dështuar i çdo teme që ka marrë gjoja përsipër.

Por edhe kur ndryshon argument – duke i lënë të paprekura çështje që duhet të thelloheshin – gazetari tregon se as nuk e ka kuptuar rëndësinë e temës për të cilën është zotuar se do të flasë dhe do e trajtojë me zotësi.

Po a keni parë ndonjëherë që ndonjë gazetar të qortojë, të kritikojë a të kundërshtojë sho-shokun? Jo.

Ata vetëm shajnë, përqeshin dhe skërmiten fshehurazi.

E megjithatë, gjithçka shkon bukur, jeta e qetë është më e mirë…

Botuar në Gazeta Shqiptare, datë 30 qershor 2013

Shpërndaje në: