Gashi: Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në BE mbetet prioriteti ynë si shtet
Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti ynë si shtet, por edhe i përfaqësuesve të partive politike shqiptare, thotë kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Sipas tij, për këtë nevojitet dialogu me të gjitha palët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, para së gjithash me shtetet fqinje.
Për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, nevojiten dy të tretat e votave, të cilat, Gashi thotë se partitë që do të formojnë Qeverinë e re, do të arrijnë t’i sigurojnë dhe më pas të ketë një debat “për të hequr nga tryeza këtë problem politik”.
Ai thotë se me hapjen e ndryshimeve kushtetuese do të angazhohet që të zgjidhet edhe statusi i gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila përkufizohet si gjuhë e “20 për qind” të popullsisë.
Ai në intervistën për REL-in reagoi edhe ndaj pohimeve të partisë E Majta, e cila akuzoi koalicionin VLEN dhe VMRO DPMNE për “kosovarizimin” e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
“Mendoj se fjalori që u përdor atë ditë ishte më shumë një performancë teatrale për ngritje të tensioneve dhe tërheqje të vëmendjes”, thotë Gashi.
“Nuk mund të kërkosh vota nga të gjitha komunitetet dhe pastaj të thirresh në legjitimitetin e shqiptarëve”, thotë Gashi lidhur me pohimet e BDI-së se është shkelur legjitimiteti i votës shqiptare.
Ai thotë se si drejtues i Kuvendit do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë dhe se do të respektojë të gjitha qëndrimet e tyre me qëllim të forcimit të demokracisë parlamentare në vend.