Gashi e Bazaj si sinonime mbeturinash të kutit tregtues dhe provincial (III)
(vijon nga shkrimi javën e kaluar)
Dhe do të kishte qenë pikërisht kjo pyetje ajo e cila çoi në Trazirat e Marsit 2004. Në fakt kjo pyetje u parapri edhe nga negociatat e dështuara të Vjenës më 2003, përpjekja e kotë për realizimin e vullnetit për pavarësi në Kuvend, vrasja e fëmijeve serb në Gorazhdec, dhe bllokimi i magjistrales Prishtinë-Shkup nga serbët e Graqanicës. Mosbashkimi i qytetit të Mitrovicës edhe pas pesë viteve pasluftë, respektivisht spastrimi pjesës veriore nga shqiptarët, përbëu në këto ngjarje fuçinë e barotit. Akoma janë të diskutueshme pasojat që sollën këto Trazira. Natyrisht, dy davaritjet kryesore qenë vandalizmi ndaj objekteve fetare ortodokse, dhe orientimi i dhunës drejt pakicës serbe.
Lëvizja e 2004-tës do të mund ta kishte potencialin e vet serioz emancipues, si një lëvizje nga poshtë-lart, po të orientohej drejt selisë së UNMIK-ut, që ateherë, e jo të vonohej për tri vite, deri më 10 shkurt 2007. Mirëpo ajo që e pamundësoi këtë gjë pos konvulsioneve dhe dallimeve të brendshme politike tek kahu i luftës, kishte të bënte edhe me sociologjinë: krahu fshatar i luftës që gradualisht po binte në qytet, nuk kishte kurrfarë përgatitje teorike politike pos aktivizimit dhe deri diku edhe të qenit gjysmëmilitar, kurse strukura të shumën semiurbane e luftës, e që më vonë themeoi VV-në, kishte përgaditje teorike, kishte aktivizëm, por refuzonte dhunën, duke insistuar në protesta e demonstrata, që në fakt përbënin një gjallërim politik të hapësirës publike vendore, por jo edhe ta kishin fuqinë vendimtare përballë zeitgeistit.
VV-së në diskursin e saj të shtyrë drejt skajit, i rastisi të agjitojë në një kohë kur Kosova gradualisht po fitonte këto elemente të dobëta të shtetësisë që ka, kur figura e Thaçit tashmë e pajtuar plotësisht me përbrendësimin e kapitalizmit po largohej gjithnjë e më shumë nga strumbullari i vet politik (e kaluara LPK-iste), duke ardhur gjithnjë e më në qendër (sidomos pas vdekjes së Rugovës dhe ndarjes së LDK-së) si i parapëlqyer nga vetë ndërkombëtarët. Kjo nëkohësisht po shënonte edhe kohën kur kufiri që ndante botën e politikës nga ajo e biznesit dhe e medias po zbehej gjithnjë e më shumë, dhe kur realisht tashmë krahas LDK-së në skenën politke kishim katër forca politike tjera të pasluftës: PDK-në, AAK-në, ORA-në dhe krejt në fund edhe AKR-në .
VV nuk ishte pothuajse asnjëra nga këto. Ajo nuk ishte as gjysmëmilitare, as honepsëse e kapitalizmit as e përfshirë në Grupin Negociator me të cilët ndërkombëtarët i hapen rrugën shpalljes së pavarësisë, nuk posedonte nën kontroll ndonjë media të sajën (ishte prezente vetëm përaq sa i ipej hapësirë), dhe përpos AKR-së, që u krijua pas saj, PDK, AAK e ORA, i paraprinin në kohë. Kështu që të menduarit e shqiptarit në kontekstin kosovar, përfundimisht nuk arriti të bëhet atashim popullor/shoqëror, por i’u la rrjedhës së zhvillimeve të diktuara ose nga jashtë ose nga vetë rrjedha e kohës. Natyrisht kjo VV-në e shtyu drejt opozitarizmit edhe më radikal, pavarësisht komprosimit të 2010-tës për tu futur edhe zytrarisht në sistemin politik të vendit.
E megjithatë ajo dëshmoi se mund t’ia dalë me forcat/medotat e njejta edhe brenda sistemit (Kuvendit), përkundër që insistimi në parimin etnik/nacionalist, e që shtetësinë kosovare e sheh si shqiptarizmë të pjesëtuar, çoi gjithnjë e më shumë kah ndarja përfundimtare, madje armiqësimi i plotë mes dy krahëve të luftës: PDK-së që vetëm sa s’lidhi kurorë martese me LDK-në dhe VV-së së vetmuar në bindjet e saj. Pra nga çarja shoqërore në pacifistë e pro-luftë, u kalua në një situim kur pacifistët u bën bashkë me pjesën kapitaliste të krahut të luftës, përballë pjesës idealiste e besimtare, që s’është për luftë, por që e do (ri)mendimin e shqiptarit në kontekstin politik, ekonomik dhe shoqëror.
Për rrjedhojë VV ngeli e vetmja lëvizje politike që në politikbërjen e saj ngërthen edhe skemë mendësore filozofike/epistemogjike (teorike dhe teoritizuese), përkundër kontradiktave e aporive brenda kësaj skeme. Një vizitë e rëndomtë në në selinë e tyre të ofron këtë çka po them: të rinj e të reja aktivistë të përqëndruar në lexime e kinematografi. VV ngeli deficitare në shumë aspekte: formimi paksa i vonshëm, mungesa e strukturave në komuna tjera (përqëndrimi i theksuar në Prishtinë) dhe me nivelin mendësor teorik që përfaqëson, u kthye paksa në luks për këtë vend që mund të lexohet edhe disi si një mosdijeni për injorancën e popullit. Është tepër e vështirë në një vend si ne, të flesh e të zgjohesh me Lacanin, kur nesër të pret fushata në ndonjë fshat periferik të vendit.
Ndërlidhshmërisht me ketë, si për tu lidhur edhe me titullin e vetë kësaj serie: kalimi i fundit i Ibrahim Gashit në PDK si dhe kandidimi (e deri sa kësaj serie i erdhi fundi edhe ç’kandidimi i Bazajt për kryetar të Drenasit), flasin indirekt për shumë çka u elaborua deri këtu: Gashi si injorant e falsifikator u detyrua të dorëhiqet nga rektorllëku pikërisht nga fryma emancipuese studentore të cilën e mbolli më së shumti VV, dhe të përfundoj pikërisht aty ku s’mendohet gjë (në PDK), kurse Bazaj ishte shembulli i parë (dhe jo i vetëm) se si ecën kuti i tregtimit dhe provincializmit tek ne: mendimin ndryshe, kandidimin për ofertë ndryshe ta bësh vetëm sa për sjellur Veselin deri në Drenas.
Kjo natyrë e provincializmit dhe e tregimit, zaten çoi edhe në përçarjen e opozitës meqë AAK e NISMA në singularitetin e tyre janë të mishëruara nga ky kut, kurse VV shumë deficitare në të. Më parë kjo u dëshmua edhe në plasjen që lindi brenda VV-së, si Fraksion + meqë idealisti mund të ketë harruar që demokracia nisë nga niveli komunal kah ai qëndror dhe të duket shumë kryeqytetas dhe i paarrirë me atë çfarë ofron, por megjithatë qëndron më mirë se sa ai që mendon se e tërë bota është Drenicë. Ky i fundit para ankesës ndaj vendit ku s’gjeti veten duhet të mësojë që permes shembullit të vetë të përbëj modelin që përçon në demokraci dhe jo të presë që edhe opozita do të jetë drenicake, si pozita.
Fund