Gashi e Bazaj si sinonime mbeturinash të kutit tregtues dhe provincial (II)
Lindja e Lëvizjes VETËVENDOSJE përkon minimum me pesë faktorë politik/kohor: çarjen që vazhdoi në krahun e luftës edhe pas 99-tës, dominimin e ligjërimit politik që përsëriste rezolutën 1244 (e së këndejmi Integritetin e RFJ-së mbi Kosovën) mëngjes e aksham, Trazirat e Marsit 2004, avazin e kapitalizmit si dhe ardhen në shprehje të brezit të ri (në kuptimin e moshës) politik.
Për sa i përket momentit të parë e që domosdo është e lidhur me krejt rrjedhën kohore, 2001-2005, mbase askush nuk do ta mendonte që Kurti atëbotë një 26 vjeçar i liruar nga burgu i Serbisë, do të kthehej në ligjëruesin më të madh të nacionalizmit shqiptar në Kosovë. Kjo sepse mendohej, apo më mirë thënë vërehej se ligjërimi nacionalist shqiptar në Kosovë akoma përfaqësohej kryesisht nga gjeneratat 40-60, që panë “edhe Rankoviqin edhe Titon edhe Millosheviqin”. E këta i gjeje të shpërndarë kryesisht në LDK, PDK e AAK.
Pa përfaqësim politik kishte mbetur një pjesë e gjeneratave të të ish burgosurëve politik (në vend dhe diasporë) që paslufte nuk zgjodhi përcaktim partiak (ose edhe nëse zgjodhi e bëri me mëdyshje të mëdha), si dhe gjenerata post 70 e këndej që dukej e papërfaqësuar politikisht, meqë këta s’kishin përjetuar dyshen Rankoviq-Tito, me fjalë tjera ishin brezi i tretë i shekullit XX në kontekstin shqiptar. Krejt në fund kishte edhe një pjesë e ish UÇK-së që here-herë përpëlitej si LKÇK.
Të parët, pra ish të burgosurit politik të gjeneratave më të vjetra, kishin një formim krejt të dobët teorik (të krahasueshëm me PDK-në e sotme), meqë pos të qenit idealistë, sakrifikues e me shpirt revoltues si pjesë e ilegales, nuk dinin fort se si mund të bëhej skematizimi mendësor politik në një situatë postçlirimi, kapitalizmi, globalizimi, e ku nacionalizmi (aq më shumë një nacionalizëm pa shtet), të paktën në Ballkan, po çmagjepsej, përkatësisht po shtyej drejt rimendimit e ridefnimit të vetëvetes.
Kjo meqë Bashkësia Ndërkombëtare të paktën përmes agjendës po proklamonte pa ndalë fatin e ri të Ballkanit: stabilitetin si kusht të së tashmes, dhe integrimin e tij në familjen europiane, si cak të së ardhmes. E në kontekstin tonë kjo u etablua si konvulsioni me gjasë më i madhi deri ateherë tek Lëvizja nacionaliste-majtiste e shqiptarëve jashtë Shqipërisë: LPK. Nëse lindja e AAK-së si parti ndaraz nga PDK-ja kaloi si rrufë, nëse LBD-ja e Qosjes pësoi debakël që në zgjedhjet e para të pasluftës, rrumpallat e periudhës 2001-2004 ishin edhe më të mëdha: krijimi i enklavave serbe vazhdoi të ishte hale në sy të lartëpërmendurit; LDK po fitonte një pas një zgjedhjet; gradualisht shumë anëtarë të LPK-së (e të PDK-së) po zgjidhnin biznesin në kurriz të angazhimit serioz politik; Serbia njëherë me Gjingjiqin e pastaj edhe më pasardhësit nisi të dukej e përkdhelur nga ndërkombëtarët, arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga UNMIK-u u ënë gjithnjë e më shpeshta, shkurt fjala asgjë e mirë nuk shihej në nënqiellin e (ish) LPK-së.
Dhe përderisa Kurti i kaloi gati 3 vite duke u sorrollatuar në dofarë projektesh me ndërkombëtare e OJQ-sh nga rajoni (shembulli i KAN-it), duke e lakmuar edhe shkollarizmin e pinjollëve të proviniencës titiste (afria me Besnik Pulën) gjërat po shkonin drejt një pyetësimi fundamental: kah më tej karshi hegjemonisë së 1244-shit të inkarnuar si UNMIK?
vijon