Gashi e Bazaj si sinonime mbeturinash të kutit tregtues dhe provincial (I)
Fatlum SADIKU
Kur Muharrem Shabani me sa kujtoj më 2010 e pati treguar për një ditë (a natë) të vetme përkatësinë e tij nga AAK-ja (ku kishte dalur nga LDK-ja, e që në të kishte hyrë edhe me të kaluar gjykatësi nga koha e Jugosllavisë) – në PDK u pata bindur se diçka si “parti politike” tek ne jo vetëm që jorrallëherë paska qenë është maskim, por që dita ditës po shkon drejt shndrrimit fundamental. Në fakt tek ne në studimet që do të duhej të bëheshin për partitë politike (e lërë më pët orientimet që me krejt pak përjashtime janë hajgarallëk tek ne), do të duhej të kiheshin parasysh dy shenjues: lëvizja shoqërore dhe individi. Jo partia. Dalja e një liste të tërë partish të reja që nga paslufta e këndej më shumë ishte një blof për hatër të pluralizmit, me qëllim kryesor maskimin e krahut politik se sa që nënkuptonte ndonjë përfaqësim të denjë të ndonjë qëndrimi të riformuluar politik..
Thjesht fill paslufte, individi (madje familja para individit) ose ishte LDK, ose LPK ose nuk interesohej për politikë, thjesht nuk konsideronte se mund të ishte e përfaqësuar. Dhe përderisa LDK vazhdoi me akronimin e njejtë, hapin e parë të guximshëm drejt diferencimit nga paterica ideologjie (LPK-ja) e pati bërë AAK-ja duke shkuar që nga viti 2000 si parti më vete.
Kështu u pati vendosur një dallor deri diku i qartë mes AAK-së me PDK-në, që ishte zgjatimi më burimor i LPKsë, e që formalisht edhe ajo doli si partë më vete. E megjithatë edhe AAK pati pjestuar shumëçka nga diskursi i saj nacionalist i krahut të luftës, duke marrë ngjyrimin e një partie opozitare që në relacion me kërkesat ndërkombëtare ndiqte ngjashëm sikurse pozita krejt ato çfarë ndërkombëtarit kërkonin, vetëm se në rrafshin e garës “partiake” ishte aty për të prishur plane.
Por nëse AAK për kute goxha provinciale shkoi si parti në vete, tregoi dëgjueshmeri me ndërkombëtare e madje edhe bëri koalicion me LDK-në, ka diçka që e lidhte me PDK-në: të qenit e hapur edhe ndaj aparatçikeve të ish sistemit, siç bëri me Mahmut Bakallin. AAK këtë nuk e bëri nga hipoteka se si t’ia zvogëlojë LDK-së votat, sepse nuk kishte ndonjë gjasë t’i afrohej votave të saj, por nga se konsideronte se kishte mungesë përvoje politike dhe deficit njohjesh të të kësaj fushëveprimtarie (i thënçim Mahmutit njohës!).
Ndërkaq PDK teksa rehatonte ish aparatçikë në mos me anëtarësim ateherë me nderim (nderimin e Fadil Hoxhës me pjesëmarrje të gardës së TMK-së urdhër që e dha Nuredin Lushtaku, bërjen Agim Zatriqit drejtor të RTK-së, monopolin medial dhënë Baton Haxhiut, promovimin e Shkelëzen Maliqit në secilën media, ndikimin që pati në formimin e ORA-s), synonte pikërisht ngushimin e dallimit sado kudo të madh që kishte me LDK-në.
Vdekja e Rugovës shënoi një moment kthese në krejt këto akrobacione politike. U pa se partitë politike, programet e tyre sado të mirëshkruara e të sofistikuara, prurjet e reja etj., akoma nuk po i’a linin shenjë kulturës së pjekur politike me në qendër figurën e liderit, me fjalë të tjera, kultit të liderit. Kjo pra i binte që po ta kishte pasur Ramush Haradinaj pozicionin e Thaçit në Rambuje, ndoshta paslufte AAK-ja do t’i kishte votat e PDKsë! Vdekja e Rugovës nënkuptoi shkrirjen e mumjes politike, shkrirje kjo që po koicidonte me vetë inaugurimin e me shtrirjen e kapitalizmit në formën më vulgare, që nisi me privatizimin. Idealizmi po zëvendësohej nga kuti më i ultë i dobisë. Tani paraja po bëhej Zoti i vërtetë. Dhe pak a shumë këtu nisi edhe prerja e madhe gordiane në kulturën politike të vendit. Nderimi masovik në varrim u pasua nga Kuvendi i karrigeve në LDK.
Gojtari më mërzitës i LDK-së, Ismet Beqiri vite më vonë doli se kishte bërë fushatë mjaft profesionale për PDK-në, për zgjedhjet e 2007-tës. AKR-ja pati hyrë goxha befshëm në skenë me premtimet megalomane ekonomike për tu dëshmuar denjësisht besnike e PDK-së. ORA ra në gropën që Surroi u mundua t’ia bëjë Partisë së Drejtësisë permes propozimit për pragun zgjedhur. Meqë nuk kishte brum votuesish më shumë se 6-7%, për tëthënë fjalën kryesore në politikën e fundit, Surroi donte me gjasë të ishte figura kyçe e hapërimit orientimor të Kosovës kah Perëndimi. E PD-ja në këtë drejtim shihej si penguese, si islamike. Ç’e do kur shoku ynë Zylo na ra në gropën që bëri vetë.
E kur shtohet fakti se në krejt rrumpallë shoqërore e politike, ndërkombëtarët në rastin më të mirë ishin spektatorë e në rastin më të keq urdhërdhënës apo bekues, të qenit e këtij realiteti të 9-10 vjeçarit të fundit realitet i betonuar, s’do shumë mend.
Mund të pyesni, cili ishte reaksioni ndaj tërë këtij lumi rrjedhash? Përgjigjja është vetë Lëvizja VETËVENDOSJE.
(vijon)