Game of Thrones tradhtoi revolucionin dhe gratë
Ky shkrim është marrë nga The Independent. Përktheu, përshtati [nga anglishtja] dhe i ndërroi titullin, Periskopi.
Sezoni i fundit i Game of Thrones [shq. Loja e Froneve] ka yshtur një protestë publike që e arriti pikën me një peticion [i nënshkruar nga mbi 1 milion shikues të pakënaqur] që kërkonin të hiqej krejt ky sezon dhe të xhirohej një i ri. Egërsia e debatit në vetvete përbën provë se edhe çështjet ideologjike duhet të jenë të nxehta.
Pakënaqësia u kthye në një varg pikash: skenari i keq [nën presionin që seriali të përfundohej me nguti, kompleksiteti i narrativës ishte thjeshtuar], psikologjia e keqe [Bërja e Daenerysit në ‘Mbretëreshë të Marrë’ [shën.i përkthyesit: në relacion me babain e saj që njihej si ‘Mbreti i Marrë’] nuk ishte justifikuar nga zhvillimi i karakterit të saj], e kështu me radhë.
Në nga pak zërat inteligjentë në debat ishte ai i shkrimtarit Stephen King që vërejti se pakënaqësia nuk vinte shkaku i fundit të keq të serialit por për shkak të fundit në vetvete. Në epokën tonë të serive që në princip mund të shkojë deri në pafundësi, vetë ideja e mbarimit të një narrative bëhet e patolerueshme.
Është e vërtetë se, në fundin e shpejtë të serisë televizive, një logjikë e përçudshme del në pah, logjikë që nuk e shkel psikologjinë kredibile por më shumë presupozimet narrative të një serie televizive. Në sezonin e fundit, është thjesht përgatitja për betejë, kukama dhe shkatërrimi pas betejës, dhe beteja në vetvete me gjithë pakuptueshmërinë e saj – shumë më realiste për mua se fabulat e rëndomta gotike të melodramës.
Sezoni i tetë i skenon tri probleme të njëpasnjëshme. E para është ajo mes njerëzores dhe jonjerëzores të parë si ‘Tjetri’ [Armata e Natës nga Veriu e udhëhequr nga Mbreti i Natës]; mes dy grupeve kryesore të njerëzve [Lannisterëve djallëzorë dhe koalicionit kundër tyre që udhëhiqet nga Daenerysi dhe Starkët]; dhe më pas në konfliktin e brendshëm mes Daenerysit dhe Starkëve.
Kjo është arsyeja pse betejat në sezonin e tetë ndjekin një rrugë logjike nga një opozitë e jashtme te një çarje e brendshme: mposhtja e jonjerëzores Armatë e Natës [mos e ngatërro me Nato-n], mposhtja e Lannisterëve dhe shkatërrimi i Fronit të Mbretit; problemi i fundit mes Starkëve dhe Daenerysit – mes ‘së mirës’ fisnikërore tradicionale [Starkëve] që me besnikëri mbrojnë njerëzit e tyre nga tiranët e këqij, dhe Daenerysit si një soj i ri i liderit të fortë, një lloj bonapartiste progresive që vepron në emër të paprivilegjuarve.
Çështjet në konfliktin final janë këto: a duhet revolta kundër tiranisë të jetë një luftë për rikthimin e versionit të vjetër më të mirë të të njëjtit rend hierarkik, apo mos duhet që të zhvillohet më tej në kërkim të një rendi të ri?
Finalja kombinon refuzimin e ndryshimit radikal me një motiv të vjetër anti-feminist në veprën e Wagnerit. Për Wagnerin, nuk ka asgjë më të gërditshme se sa një grua që ndërhyn në jetën politike, e shtyrë nga dëshira për pushtet. Në kontrast me ambiciet e burrave, gratë duan pushtet në mënyrë që të promovojnë interesat e tyre të ngushta familjare apo, edhe më keq, tekat e tyre personale, të paafta për të perceptuar dimensionin universal të politikave shtetërore.
I njëjti femininitet i cili, brenda qarqeve të ngushta të jetës familjare është thjesht dashuri protektive, kur del në hapësirën publike dhe në çështjet shtetërore përkthehet në furi të errët. Kujtojini dialogun në Game of Thrones kur Daeners i thotë Jonit se nëse ai nuk mund ta dojë atë si mbretëreshë atëherë frika do të mbretërojë – motivin turpërues e vulgar të pakënaqjes seksuale të gruas që eksplodon në një furi tepër destruktive më pas.
Por, çka të thuhet për shpërthimin vrastar të Daenerysit? A mundet vrasja e pamëshirshme e mijëra qytetarëve të pafajshëm të justifikohet si një hap i nevojshëm drejt lirisë universale? Në këtë pikë, duhet të na kujtohet që skenari është shkruar nga dy burra.
Daenerysi si “Mbretëresha e Marrë” është ashiqare fantazi mashkullore, kështu që kritikët kishin të drejtë kur thanë që rrëshqitja e saj në marrëzi ishte psikologjikisht e pajustifikueshme. Pamja e Daenerysit me një surrat të marrë e të tërbuar duke fluturuar në një dragon e duke djegur shtëpi dhe njerëz shpreh ideologjinë patriarkale me frikën që ndryhet në të prej një gruaje të fortë në politikë.
Fati ku degdiset gruaja me pushtet në Game of Thrones përputhet me këto koordinata. Edhe nëse Daenerysi e mirë do të fitonte e do të shkatërronte Cersein, pushteti do ta korruptonte atë. Arya [që shpëtoi të gjithë duke e vrarë Mbretin e Natës] po ashtu zhduket, me planet për të lundruar për në Perëndim të Perëndimit [sikur donte ta kolonizonte Amerikën].
Ajo që mbetet [si mbretëresha e një mbretërie autonome të Veriut] është Sansa, një soj gruaje e dashur nga kapitalizmi i sotëm: ajo kombinon butësinë feminine dhe të kuptuarit me një dozë të mirë intrige, dhe kësisoj plotësisht përpuqet me marrëdhëniet e reja të pushtetit. Ky margjinalizim i gruas është një moment kyç në mësimet e përgjithshme liberal-konservatore të finales: revolucionet duhet të shkojnë keq, ato sjellin tirani të re, apo, siç i tha Joni Daenerysit:
“Njerëzit që të ndjekin ty pas e dinë se ke bërë diçka të pamundur. Ndoshta kjo ndihmon që ata të besojnë se mund të bësh edhe gjëra tjera të pamundura; të ndërtosh një botë që është e ndryshme nga muti që e kanë njohur gjithmonë. Por nëse i përdorë dragonjtë që t’i djegësh kështjellash e t’i shkatërrosh qytetet, atëherë nuk je e njëjtë me tiranët e tjerë.”
Si rrjedhë, Joni e vret nga dashuria [duke e mbrojtur një grua të mallkuar nga vetja e saj, siç thotë formula e moçme mashkullore-shoviniste] të vetmit agjent social në serinë televizive që përnjëmend luftoi për diçka të re, për një botë të re që do t’i jepte fund padrejtësive të vjetra.
Kësisoj, drejtësia mbizotëroi – por cili lloj i drejtësisë? Mbreti i ri është Brani: sakat, i gjithëdijshëm, që s’dëshiron asgjë – duke evokuar dijen e zbrazët që thotë se sundimtarët më të mirë janë ata që nuk e duan pushtetin. Një qeshje e madhe shpërthen kur një anëtar i elitës së re propozon një zgjedhje më demokratike të mbretit i tregon të gjitha.
Dhe askush nuk mund të thotë që ata që i mbetën besnikë deri në fund Daenerysit nuk ishin më diversë – komandanti i ushtrisë së saj ishte i zi – ndërsa sundimtarët e rinj ishin nordikët e bardhë. Mbretëresha radikale që donte më shumë liri për secilin pavarësisht prej pozitës sociale dhe racës, eliminohet, dhe gjërat i kthehen normalitetit. /Periskopi