Gabimet e perëndimit në vendet e pazhvilluara

Gabimet e perëndimit në vendet e pazhvilluara

Derisa në Evropën Perëndimore duket sikur “fundi i historisë” ia ka arritur, në lindjen e mesme problemet etnike dhe fetare janë kthyer në një përditshmëri. Edhe vendet e dala nga Jugosllavia po ashtu kërcënohen nga mungesa e stabilitetit dhe konfliktet e nëndheshme etnike e fetare që presin të shpërthejnë sapo të shfaqet shkëndija.

Rrënjët historike të këtyre konflikteve janë mbjellë nga kolonizatorët evropianë të cilët shfrytëzuan burimet natyrore të vendeve të botës së tretë. Perëndimi ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol krucial në konfigurimin e hartës politike të botës.

Pas Luftës së Dytë Botërore fuqitë e mëdha dizajnuan një botë ku kufijtë politikë dhe ata etnikë nuk përputheshin në shumë raste. Konferencat ndërkombëtare, të drejtuara nga shtetet kryesore të perëndimit mbështetën krijimin e Jugosllavisë, një konglomerat i etnive dhe feve të ndryshme. Ndërsa në Palestinë asistuan krijimin e shtetit të Izraelit duke mos marrë parasysh realitetet etnike, kulturore e sociologjike të problemit. Shtetet kolonizuese u mbështetën në pretendimet e tyre për të vazhduar të mbajnë kolonitë e tyre. Kështu farat e konflikteve u mbollën nëpër pjesën më të madhe të globit.

Kur procesi i dekolonializmit u bë i pashmangshëm, mundësitë për të fashitur tensionet nëpër botën e tretë u shpërdoruan. Fuqitë kolonizatore dhe e drejta ndërkombëtare njohën të drejtën e vetëvendosjes së popujve të kolonizuar, por kufijtë që u pranuan lënë të hapur mundësinë e konfliteve “të brendshme” në shtetet tashmë të pavaruara të dala nga dekolonizimi. Pa analizuar situatën, pa llogaritur ndjenjat etno-fetare, kufijtë e brendshëm administrativë, ose të jashtëm ndërperandorakë, u njohën si kufij të jashtëm politikë pavarësisht a përçanin popuj, duke krijuar kështu shtete të përziera etnikisht dhe fetarisht në të cilat gara për të shtënë në dorë burimet do të bëhej e nxehtë, madje deri në konflikte të përgjakshme. Ishin pikërisht këto konflikte brenda shtetërore që do të “përligjnin” ndërhyrjet e vendeve perëndimore, përmes Organizatave Ndërkombëtare të drejtuara prej tyre nëpër këto shtete, për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve dhe krijimin e qeverive qendrore.

Megjithatë, perëndimi në vazhdimësi, në shumë raste, ka mbështetur qeveri të korruptuara e nganjëherë edhe regjime shtypëse, nëse këto të fundit kanë pranuar t’u nënështrohen diktateve të perëndimorëve. Madje, Benazir Bhutto denoncon hapur strategjinë e perëndimit që përmes ndihmës së aksh qeverisë të fitojë qasje në vendimet e saj, sidomos lidhur me burimet natyrore. Ajo merr shembullin e vendit të saj, Pakistanit për të elaboruar neokolonizimin që po iu bëhet vendeve të varfëra – për nga mirëqenia e popullit – e të pasura për nga resurset natyrore – nga ana e perëndimit.

Si rezultat kemi kastë politikanësh super të pasur e popull që jeton në skamje dhe për këtë shembujt janë të shumtë; Pakistani, Maroko, Arabaia Saudite, Kosova, Sierra Leone, vendet afrikane, Libia, Jemeni, Iraku etj. Në anën tjetër, nëse nuk është arritur të instalohet një qeveri lojale ndaj SHBA-ve apo vendeve evropiane atëherë fillojnë sanksionet (Ekuadori, Iraku, Venezuela, Kuba etj), shpërthejnë konflikte civile (Libia, Siria) të cilat kanë ‘nevojë për një arbitër me autoritet, zakonisht SHBA-në’ për t’i zgjidhur ato, ose vendi “prodhon armë të shkatërrimit në masë” e që do të bënte ndëhyrjen e SHBA-ve të ‘domosdoshme për të ruajtur paqen në botë’. Ndërhyrja e SHBA-së bën që të instalohet një qeveri e cila iu lë dorë të lirë koroporatave amerikane apo evropiane. Kështu që qëllimet e SHBA-së mbeten të dyshimta.

Në të kaluarën jo të largët ishim të prekur nga krizat globale ekonomike, politike e së fundmi atyre fetare. Jo më larg se para 2-3 vitesh e gjithë vëmendja përqendrohej te ISIS, si një formacion ushtarak ku në pamje të parë të krijonte përshtypjen se vërtetë është krijuar një grup luftëtarësh që dëshirojnë të ringjallin dogmën islamiste për të zbatuar ligjin e sheriatit si një lloj kushtetute në gjithë Lindjen e Mesme.

Mirëpo rrethanat e sotme nëpër të cilën po kalon ky grup ushtarak na jep një pasqyrë krejt tjetër nga ajo çfarë është perceptuar më parë.

Autorë të shumtë e konfirmojnë që shpesh herë shërbimet inteligjente amerikane kanë ndërhyrë për të krijuar grupe të tilla që të mbajnë gjallë interesat e saj ekspansioniste globale. Për shembull, raportohet se Regan kishte krijuar muhaxhedinët e sotëm për të luftuar në atë kohë Bashkimin Sovjetik. Për më tepër studiuesi i njohur William Blum shprehet se “Në fund të viteve ’80-ta Qeveria e Kabulit njoftoi se gjatë luftimeve disa amerikanë ishin vrarë dhe, në 1985 një gazetë angleze kumtoi se në Afganistan ndodheshin rreth dy dyzina zezakësh amerikanë myslimanë për të luftuar me muhaxhedinët në një xhihad që, sipas parimit fundamentalist të Kuranit, të gjithë besnikët e Islamit duhet ta bëjnë njëherë në jetë”.

Për të vijuar më tej, por duke cituar një autor tjetër, për të ndjekur tezën se amerikanët kanë pasur qëllime të qarta për formimin e një armate islamiste, vlen të përmendet edhe Weiner i cili thotë se “Presidenti (në këtë rast i referohet Eisenhover-it) tha se donte ta promovonte idenë e një xhihadi islamik kundër komunizmit ateist. “Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të theksuar aspektin e “luftës së shenjtë””, tha ai në një takim në Shtëpinë e Bardhë gjatë shtatorit të vitit 1957.”

Të gjitha ato trazira të shkaktuara nga grupi ushtarak ISIS nuk kanë qenë më shumë sesa konstrukte të fryera fshehtasi nga shërbimet e inteligjencës amerikane me qëllim që të destabilizojë pjesën dërmuese të Lindjes së Mesme. Këtë tezë e forcon edhe më shumë fakti se në radhët e ISIS nuk ka pasur vetëm anëtarë të një etnie dhe shtetësie, do të thotë afganë apo irakianë pse jo edhe arabë, por në mesin e tyre ka pasur pjesëtarë edhe të shtetësisë gjermane, angleze, franceze, suedeze, egjiptase, turke. Pra, duke aluduar në këto burime të faktuara nga shumë raportime të mediave ndërkombëtare, konstatohet se lufta e ISIS nuk është një luftë ideologjike, por një luftë politike e ndërtuar sipas politikave ekspansioniste amerikane. Edhe sot jemi dëshmitarë të një gjenocidi të paparë që është duke ndodhur në Birmani ku grupe budiste vrasin qindra e mijëra civilë të pafajshëm të besimit mysliman, me ç’rast ISIS apo grupe të tjera ushtarake myslimane e heshtin duke mos iu dalë në ndihmë popullti Rohingya me të cilët ndajnë të njejtin konfesion fetar. Çfarë t’i thuhet kësaj: luftë politike apo ideologjike?!

Sot kur flitet për Sirinë, dhe kur shumë raportime të Organizatave ndërkombëtare thonë se shuarja e ISIS dhe grupeve tjera terroriste është drejt fundit final, Amerika e ka të pamundur të ndërhyjë në këtë vend me atë lehtësinë që e kishte vite më parë në Afganistan apo Irak, pasi aty si konkurent serioz e ka Rusinë. Kjo lë të kuptohet se qëllimi i këtyre dy Fuqive të Mëdha është që të spastrohet totalisht ky vend mysliman, derisa të arrihet një marrëveshje mes tyre për të sjellë banorë të një etnie tjetër, më pas për ta bërë të banueshme Sirinë. Thjesht për të krijuar një identitet hibrid. Që çdo individ i cili jeton në këtë shtet të veprojë mbi bazën e sigurimit të një jete ekzistenciale duke shfrytëzuar burimet e atij shteti, por duke mos pasur një lidhje historike me atë vend.

Nëpërmjet pushtimit neokapitalist, Amerika dhe Rusia tentojnë të hedhin poshtë elementin etnik, duke i mbajtur të varfëra këta popuj por njëherit duke i dalë në ndihmë pushtetarëve të vendeve të pazhvilluara, për t’iu sjellë atyre privilegje të pafundme që të qëndrojnë më gjatë në udhëheqje.

Një autore kritike e neoliberalizmit amerikan, Naomi Klein thotë se neoliberalizmi është përfolur shpesh si një ideologji dhe praktikë e plaçkitjes së dytë koloniale. Në plaçkitjen e parë pasuritë që ishin grabitur ishin kryesisht toka, kurse në të dytën këto pasuri ishin grabitur duke e zhveshur shtetin nga kompanitë dhe entet prodhuese të shërbimeve. Pra, duke qarkulluar mbi këtë maksimë, dy superfuqitë perandorake kërkojnë me çdo kusht që qytetarin e botës së tretë ta zhveshin nga publikja, t’ia topitin mendimin kolektiv dhe ta kthejnë në një monstrum individualist për t’i shërbyer kauzave të tyre kolapsive.

Duke vazhduar me një argument tjetër në të cilën Klein e hedh në librin e saj ‘Doktrina SHOK’, ajo thotë se “Sadami kurrë nuk kishte paraqitur ndonjë kërcënim për SHBA-të, por ai kishte paraqitur kërcënim për Korporatat Energjetike Amerikane, pasi kishte nënshkruar një marrëveshje kontraktore me një gjigand energjetik rus, si dhe ishte futur në bisedime me kompaninë franceze ’Frances Total’, duke i lënë firmat amerikane dhe britanike me gisht në gojë, ndërkohë që pikërisht këto firma ango-amerikane kishin nën kontroll një të tretën e rezervave të naftës në botë.”

Edhe Ballkani po vuan nga tensione të brendshme. Republika Srpska, Lugina e Preshevës, Maqedonia Perëndimore, Veriu i Kosovës, janë vetëm disa nga pikat ku gëlojnë nacionalizmat etnikë. Kufijtë në Ballkan u vendosën duke shpërfillur elementin etnik, prandaj popujt e Ballkanit nuk po arrijnë të përbrendësojnë një formë të patriotizmit kushtetues, as të krijojnë shtete të qytetarëve, as të ndërtojnë ekonomi solide.

Klasat e kalbura politike, që po mbeshteten nga perëndimi, nuk janë të interesuara të zgjidhin tensionet etnike pasi që ato i shfrytëzojnë për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet ekonomike e sociale me të cilat përballen njerëzit. Ideja për të vendosur paqen përpara lirisë është e gabuar. Formula e perëndimorëve për të vendosur qeveri të inkriminuara, të cilat përmes shantazhit mund t’i kontrollojnë lehtësisht, ka prodhur një situatë të rëndë ekonomike, një tension të përhershëm civil e shoqëruar nga pasurimi enorm i politikanëve.

Shoqërive u mbetet të rrëzojnë me votë gardën e vjetër të politikanëve të korrutptuar, për ta zëvendësuar me politikanë të përgjegjshëm, pa të kaluar kriminale, e cila nuk mund të shantazhohet nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Kështu perëndimi nuk do të përdorë më shkopin, por do të tentojë që përmes shpërblimit, të bëjë ’presion’ mbi qeveritarët. Vonesa për të bërë një ndryshim është vonesë për të ndërtuar një shtet të mirëqenies. Vendimi, nëse jo plotësisht, në një masë të konsiderueshme, është në dorën tonë.

Agron Kelmendi

 

Shpërndaje në: