Futbollisti shqiptar befason “helvetikët”, pensionohet nga kombëtarja e Zvicrës

Futbollisti shqiptar befason “helvetikët”, pensionohet nga kombëtarja e Zvicrës

Pas 76 ndeshjeve, 4188 minutave lojë dhe një kartoni të verdhë, Admir Mehmedi ka vendosur të tërhiqet nga Përfaqësuesja e Zvicrës, ka njoftuar Federata e Futbollit të Zvicrës të premten. Sulmuesi 30-vjeçar ka luajtur me Zvicrën në tre turne të mëdhenj: Botërorin e vitit 2014 dhe Evropianin e vitit 2016 dhe 2020. Mehmedi do t’i përkushtohet tërësisht karrierës së tij te klubi i Wolfsburgut, me të cilin ka kontratë deri në vitin e ardhshëm dhe gjithashtu do të ketë më shumë kohë për familjen e tij.

“Ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm. Gjithmonë, ka qenë dëshira ime që të jem në gjendje të vendosi vet se kur do t’i them lamtumirë përfaqësueses. Kohët e fundit, po ashtu edhe dëmtimet më ngadalësuan”, ka thënë Mehmedi.

“Për shkak të kësaj situate, unë kam ardhur në përfundim se është momenti i duhur për t’i dhënë fund karrierës time te Zvicra. Evropiani ishte një fund i mrekullueshëm dhe i denjë. Jam mirënjohës dhe krenar që kam qenë në gjendje ta përjetoj këtë turne të shkëlqyeshëm me ekipin kombëtar për kaq shumë vite dhe së fundmi”.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Zvicrës, Vladimir Petkoviq tha se i vjen keq për vendimin e Mehmedit, të cilin shton se e respekton plotësisht.

“Admiri më informoi për vendimin e tij në një bisedë personale. Unë mund t’i kuptoj motivet e tij. Me lojën e tij, personalitetin e tij dhe natyrën e tij shumë profesionale, ai ka kontribuar shumë në zhvillimin dhe suksesin e ekipit tonë kombëtar. Ai meriton një falënderim dhe respekt të madh për këtë”, tha Petkoviq. Mehmedi ka lënë gjurmë në kombëtaren e Zvicrës. Ai bëri debutimin e tij më 4 qershor të vitit 2011 në barazimin 2:2 kundër Anglisë në “Wembley” dhe gjithashtu luajti ndeshjen e tij të fundit kundër një skuadre të madhe, Spanjës.

Mehmedi në “Euro 2020” pati dy paraqitje për Zvicrën kurse shënoi golin vendimtar nga penalltia kundër Francës në 1/8 e finales duke eliminuar kampionen e Botës. Përveç 76 ndeshjeve ndërkombëtare për ekipin A, Mehmedi luajti një finale të Kampionatit Evropian U-17 dhe një të U-19. Në vitin 2012 ai shënoi golin e hershëm për Zvicrën në ndeshjen hapëse kundër Gabonit në turneun Olimpik në Londër.

Shpërndaje në: