Futbollisti i ri i Kosovës që i shënoi gol Dritës: Mbrëmë e realizova një ëndërr

Futbollisti i ri i Kosovës që i shënoi gol Dritës: Mbrëmë e realizova një ëndërr

Laurit Krasniqi i kishte ndjenjat e përziera mbrëmë pasi luajti në vendin e tij të zemrës – në Kosovë, kundër një ekipi kosovar.

Futbollisti ferizajas u paraqit për Antwerpin në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, kundër Dritës, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Skuadra belge shënoi fitore me rezultatin 0:2, teksa Krasniqi ishte autor i golit të parë.

Laurit Krasniqi pas ndeshjes tha se për të ishte si ëndërr, që ende nuk mund të e besoj.

“Kjo është një ëndërr. Ende nuk mund ta besoj. Unë nuk e di se si ndjej. E vetmja gjë që di është se nuk do të fle shumë. Ai gol? E di që Benson mund të lëshojë krosime të mira në zonën e dytë dhe trajneri më lë të shkoj përpara, ndaj nuk hezitova”, tha ai pas ndeshjes me Dritën, që për të ishte vetëm ndeshja e tretë profesionale.

“Shumë nga familja ime është atje. Prindërit, xhaxhallarët, tezet, kushëririt. Në fillim kisha njëfarë stresi, sidomos nga ajo atmosferë intensive në stadium, por në fund gjithçka shkoi vetvetiu dhe unë mund ta shijoj atë”, shtoi Krasniqi.

Për 21-vjeçarin shkurt foli edhe trajneri i Antwerpit, Mark Van Bommel, pas ndeshjes.

“Kjo është vërtet e mrekullueshme për Lauritin. Si kosovar, ai ishte duke e pritur me padurim këtë ndeshje”, tha ai.

Kujtojmë se Laurit Krasniqi sot iu bashkua edhe zyrtarisht Kombëtares së Kosovës.

Shpërndaje në: