Fushata zgjedhore në Kosovë fillon më 11 janar

Fushata zgjedhore në Kosovë fillon më 11 janar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që një subjekt politik në zgjedhje të mund të shpenzojë dy milionë e 47 mijë euro.

Kjo shumë bazohet në numrin e qytetarëve me të drejtë vote, ku për një votues është kalkuluar një euro.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se numri i përgjithshëm i votuesve është mbi dy milionë.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë miratuar edhe rregulloren për zgjedhje të parakohshme dhe të jashtëzakonshme.

Arianit Elshani nga Partia Demokrate e Kosovës i ka lexuar afatet kryesore në procesin zgjedhor që do të mbahet më 9 shkurt.

“Deklarimi i partive politike për formimin e koalicioneve zgjedhore ka një afat prej 16 gushtit deri më 30 gusht. Aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 1 shtator dhe përfundon më 11 dhjetor 2024. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të bëhet me 7 janar. Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 11 janar dhe përfundon në ditën e zgjedhjeve, para hapjes së vendvotimeve. Zbatimi i periudhës së shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës për qytetarët fillon nga 29 gushti dhe përfundon më 26 dhjetor. Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon nga 29 gushti dhe përfundon më 26 dhjetor. Afati për dërgimin e fletëvotimeve përmes postës dhe në kutinë postare të shtetit ku është regjistruar votuesi apo në shtetin më të afërt ku është hapur kutia postare fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt”, u shpreh ai.

Shpërndaje në: