Fushat me bar sintetik shkatërruese për futbollin kosovar – reagojnë trajnerë, opinionistë, futbollistë dhe FFK

Fushat me bar sintetik shkatërruese për futbollin kosovar – reagojnë trajnerë, opinionistë, futbollistë dhe FFK

Fushat me bar sintetik janë dukuri e pandashme e futbollit kosovar.

Për një arsye apo tjetrën, klubet gjithmonë kanë tendencë që të zhvillojnë ndeshje e stërvitje në fusha të tilla, derisa ekziston një këmbëngulje për t’u kursyer fushat me bar natyral.

Periskopi ka bërë një analizë të impaktit të fushave sintetike në kualitetin e lojës si dhe rreziqet potenciale për dëmtime të futbollistëve nga terrene të tilla, duke kontaktuar akterë dhe njohës të zhvillimeve në futbollin kosovar.

Redaksia jonë ka kontaktuar trajnerë, futbollistë si dhe ka siguruar edhe një komunikatë nga Federata e Futbollit të Kosovës në lidhje me çështjen.

Ish-trajneri i Kombëtares U21 të Kosovës, Rafet Prekazi beson se dallimi është shumë i madh i fushave me bar natyral dhe sintetik dhe këto të fundit janë të cilësisë së ulët në Kosovë, që nuk i përafrohen atyre evropiane.

”Dallimi është i madh mes fushës natyrale dhe asaj sintetike. Ndikojnë shumë sepse lëndimet janë më të shpeshta dhe [ndeshjet] duhet të luhen me bari natyral. Për fushat me bari sintetik duhet mbikëqyrje normale, por ky bari sintetik që është në Kosovë nuk është i cilësisë sikur që është në Evropë. Ka dallim shumë të madh,” u shpreh Prekazi për Periskopin.

Fushat sintetike, zgjidhje në Kosovë - Lajmet e fundit - Zëri

Analisti i futbollit, Arsim Prepolli, duke u bazuar në eksperiencat personale sa ishte futbollist, shtoi se aspak nuk i ka pëlqyer terrenet sintetike.

”Po, kemi terrene sintetike mjaft shumë. Të them të drejtën, terrenet sintetike sa kam qenë futbollist nuk i kam dashtë aspak sepse aty më shpejtë vinë edhe lëndimet, por edhe topi kontrollohet shumë më vështirë, kështu që përparësi i jap barit normal.”

Periskopi ka mësuar se në futbollin kosovar janë diku rreth 30 terrene me bar sintetik, gjë që nënvizon insistimin e klubeve kosovare për të ndërtuar terrene të tilla.

Sigurisht, më e lehtë janë të mirëmbahen fushat sintetike, pasi nuk kërkojnë përkujdesje të madhe, derisa ato me bari natyral kërkojnë ekspertë të fushës për ta mbajtur atë në nivel dhe të padëmtuar për ndeshje.

E kush është më kredibil për të komentuar rreth kësaj çështjeje se vetë futbollistët.

Periskopi ka kontaktuar me sulmuesin e Dritës, Kastriot Rexha, i cili qartazi i urren terrenet sintetike.

”Fushat me bar sintetik janë shkatërrim për futbollistët,” u shpreh Rexha fillimisht.

MarketKonekt | Dysheme ose shtresa për fusha sportive

”Të gjitha lëndimet vinë nga to. Për mendimin tim duhet të ndalohen stërvitjet nga këto fusha pasi që edhe lëndimet dhe karriera e futbollistëve zvogëlohet duke marrë parasysh se sa cilësore janë.

”Nëse do të më jepej mundësia, asnjëherë nuk do të isha stërvitur në këto fusha.”

Është mëse e qartë se fushat sintetike janë famëkeqe në mesin e akterëve që merren me futbollin kosovar dhe një nga ata që mendon njejtë për to është edhe opnionisti i Periskopit, Andin Lokaj.

“Terrenet me bari sintetik duhet të eleminohen sa më shpejtë që të jetë e mundur, prezenca e tyre tregon neglizhencën dhe mosdijen e klubeve të cilat kanë përfituar me këto terrene nga projekte të BE-së dhe nga Kuvendet Komunale duke i ikur investimeve në terrenet me bari natyral e në anën tjetër paguajnë 5 mijë euro rroga për lojtarë me kualitett të dyshimtë,” u shpreh fillimisht ai.

“Klubet duhet të vetëdijësohen dhe të dërgojnë njerëz nëpër seminare dhe shkolla speciale se si duhet të mbahen fushat me bar natyral dhe këtë duhet ta bëjnë urgjentisht.”

Ky është lojtari i Dritës i cili është infektuar me COVID-19 – RADIO STAR 96.4

“Terrenet me bari sintetik mund të përdoren vetëm për seanca stërvitëse në kohë me temperatira minus ose kur ka shi e borë, ndërsa ndeshjet kampionale duhet të zhvillohen strikt vetëm në terrene natyrale, përndryshe do të rritim një gjeneratë të re në këto terrene që do të kenë pasojë shkatërruese për ta,” përfundoi Lokaj.

Një prej shkaktarëve pse fushat sintetike janë kaq të përhapura në futbollin kosovar është, siç u potencua edhe më lartë, që të ruhet terreni me bar natyral dhe të kursehet në shpenzime për mirëmbajtjen e tyre.

Kështu mendon edhe ish-kampioni i Kosovës në futboll si trajner i Dritës, Bekim Isufi, i cili dha këtë koment rreth çështjes:

”Terrenet me bar sintetik kanë lehtësuar më shumë seancat stërvitore për të ruajtur terrenin kryesor, por nuk jam ithar i terreneve sintetike.”

Periskopi ka siguruar edhe një komunikatë zyrtare nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila potencon se fushat me bar sintetik të ndërtuara së fundmi janë të gjitha me parametra ndërkombëtare, teksa ka pranuar se fushat e mëparshme nuk kanë qenë të kualitetit të kënaqshëm.

Më poshtë, komunikata e plotë e FFK-së:

”Në Kosovë janë diku rreth 30 fusha me bari sintetik. Fushat e mëparshme nuk kanë qenë të kualitetit aq të mirë apo thënë më mirë bari sintetik nuk ka qenë i kualitetit më të lartë dhe jo që nuk është punuar mirë. Ndërkaq, fushat e ndërtuara së fundmi janë bërë me teknologjinë më të fundit dhe janë me të gjitha parametrat ndërkombëtare.

”Shtrimi i fushave është bërë në atë mënyrë që shtresa mund të jetë edhe me bari natyral, pasi e kanë edhe sistemin e ujitjes, derisa në këto fusha ka një sasi të madhe të rërës, e cila mundëson që lojtarët ta kenë më të lehtë stërvitjen. Këto fusha janë shumë komode dhe e kanë nivelin e mirë të vibrimit dhe po thuajse është sikur të luash në fushë me bari natyral. Duke pasur parasysh temperaturat në vendin tonë, këto fusha kanë qenë të mirëseardhura si për klubet ashtu edhe për shkollat e futbollit, pasi të rinjtë mund ta shfaqin talentin e tyre.

”FFK do të vazhdojë të përkrah ndërtimin e fushave të tilla, pasi vlerësojmë se këto fusha e kanë ndihmuar ngritjen e cilësisë së futbollit tek ne dhe u kanë ofruar klubeve kushte për punë në çdo stinë të vitit.” /Periskopi.com/

 

 

 

 

Shpërndaje në: