Ftesa e Prokurorisë për Kurtin, Lekaj: Deklaratat e qeverisë përpjekje për devijim të çështjes – të trajtohet me kujdes
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar për ftesën që i bëri Prokuroria Speciale kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit.
Lekaj thotë se kjo ftesë është një zhvillim serioz që duhet trajtuar me kujdes dhe pa paragjykime.
Ai tregon se kjo ftesë nënvizon nevojën për transparencë të plotë në proceset që lidhen me zyrtarët e lartë të shtetit.
“Ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit është një zhvillim serioz që duhet trajtuar me kujdes dhe pa paragjykime. Kjo ftesë nënvizon rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe nevojën për transparencë të plotë në proceset që lidhen me zyrtarët e lartë të shtetit”, tha ai.
Ndër të tjera, sa i përket deklaratave të qeveritarëve që kjo ftesë është një tenteativë për të ndikuar në zgjedhje, Lekaj thotë se një qëndrim i tillë është i diskutueshëm dhe mund të duket si një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga çështja kryesore.
Tutje, ai thotë se Kurti dhe qeveria duhet të bashkëpunojnë me institucionet për të sqaruar çështjen, duke treguar se respektojnë ligjin dhe shtetin e së drejtës.
“Sa i përket deklaratave të qeverisë që kjo ftesë është një tentativë për të ndikuar në zgjedhje, një qëndrim i tillë është i diskutueshëm dhe mund të shihet si përpjekje për të devijuar vëmendjen nga çështja kryesore. Në vend që të akuzojnë drejtësinë për motive politike, do të ishte më e udhës që kryeministri dhe qeveria të bashkëpunojnë me institucionet për të sqaruar çështjen, duke treguar se respektojnë ligjin dhe shtetin e së drejtës”, potencoi ai.
Deputeti thotë se qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa asnjë ndërhyrje apo presion politik.
“Në fund të fundit, qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa asnjë ndërhyrje apo presion politik. Ky është një test për maturinë e institucioneve tona dhe përkushtimin ndaj një demokracie funksionale”, përfundoi Lekaj për GazetaBlic.