Ftesa e Osmanit për caktimin e datës së zgjedhjeve – PDK e LDK i përgjigjen pozitivisht, AAK ende e ‘pavendosur’

Ftesa e Osmanit për caktimin e datës së zgjedhjeve – PDK e LDK i përgjigjen pozitivisht, AAK ende e ‘pavendosur’

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua me një letër dje liderëve të partive në vend, të cilët i ka ftuar për takim konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në vend.

Në media u publikua mbrëmë edhe letra e Osmanit. Fillimisht Osmani sqaroi procedurat siç parashihen me Kushtetutë dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku i njoftoi se ka filluar faza brenda së cilës mund të nisin konsultimet.

Ajo i ka ftuar liderët e partive për takim më 31 gusht, në orën 14:00.

“Përmes kësaj letre, po ju drejtohem lidhur me konsultimin e përbashkët për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës”.

E kësaj ftese iu kanë përgjigjur tashmë dy partitë më të mëdha opozitare.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta.
Në një konferencë për medie, Çitaku ka thënë se kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

 

Ajo ka thënë se kjo ftesë ndërlidhet me zgjedhjet e rregullta.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, ka thënë Çitaku.

E ftesës pozitivisht iu është përgjigjur edhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk iu është përgjigjur kësaj ftese nga presindetja Osmani.

Sinjali ka kontaktuar me AAK-në nëse do të ndjekin rrugën e dy partive të tjera opozitare, megjithatë deri në këtë moment nuk ka marrë përgjigje.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.

Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet në koalicion me Partinë “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani, e cila tash është Presidente e Republikës.

 

Shpërndaje në: