Ftesa e Kurtit për takim: Si iu përgjigjën krerët opozitarë kryeministrit?

Ftesa e Kurtit për takim: Si iu përgjigjën krerët opozitarë kryeministrit?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi që“t’i ulë tensionet” me opozitën, duke i ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare. Në letrën që ua dërgoi Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt nuk bëhej fjalë për caktim të datës së zgjedhjeve dhe as për shpërbërje të Kuvendit.

Aty u tregua se do të diskutohet për hapat rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror të Kuvendit.

Në ftesat e dërguara drejtuesve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dhe shefave të grupeve të tyre parlamentare, shefi i qeverisë ka përmendur se do të diskutojnë rreth hapave për të përmbushur agjendën e mbetur legjislative në sezonin pranveror në Kuvendit.

Kësaj ftese iu përgjigj pozitivisht kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Memli Krasniqi.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, tha Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.

Por, ftesën e Kurtit e ka refuzuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në përgjigjen që i ka kthyer Kurtit, Abdixhiku e ka vlerësuar ftesën të vonuar dhe duke thënë thënë se ai ka sjellë polarizim ofendues ndaj të gjitha partive tjera politike.

“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legislative të Kuvendit të Republikes së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku perfaqësuesit tanë politik i japin dhe qendrimet tona partiake. Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore, prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”, tha Lumir Abdiku, kryetar i LDK-së.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka thënë Dukagjinit se akoma nuk është vendosur nëse kryetari Ramush Haradinaj dhe shefi i grupit parlamentar Besnik Tahiri, do të marrin pjesë në takim apo jo.

“Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim”, tha Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

E pas kësaj, kryeministri Kurti doli edhe me një deklaratë rreth kësaj ftese, ku për TV Besa tha se është i interesuar që të takohet me të gjithë.

Sipas tij, ai ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët, muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti.

Shpërndaje në: