Frika nga pragu zgjedhor – Dy partitë e vogla zyrtarisht ‘kacavjeren’ te Albin Kurti
Lëvizja Vetëvendosje nuk do të hyjë në koalicion parazgjedhor me partneret në qeverisjen aktuale, Guxo dhe Alternativa.
Një koalicion i tillë nuk është regjistruar brenda afatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Nën arsyetimin se nuk kanë arritur të procedojnë koalicionin në KQZ njoftuan se do të garojnë në një listë të përbashkët.
A do të “Guxo-jë” Gërvalla e Peci të garojnë të vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit?
Njoftimi:
Komunikatë e përbashkët
Jemi dhe do të jemi bashkë edhe në procesin e ardhshëm zgjedhor
Duke u bazuar në partneritetin e mirë dhe të shëndoshë në mes partnerëve të koalicionit, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Partisë Guxo dhe Partisë Alternativa, njoftojmë opinionin e gjerë, anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë se koalicioni ynë formal i dëshiruar nga të tri partitë tona, nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare.
Ne jemi duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosim së bashku ofertën tonë për qytetarët në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Së bashku synojmë që me votën e qytetarëve të vazhdojmë partneritetin në qeverisjen e ardhshme si dhe punët e mira për Republikën e Kosovës.
Prishtinë,
Më 30 gusht 2024
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se gjatë periudhës 15 ditore, nga 16 gushti deri më 30 gusht 2024, 12 parti politike kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit për pjesëmarrje në zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025./Periskopi