Frika e vërtetë e Blerta Deliut

Frika e vërtetë e Blerta Deliut

Shkruan: Shkodran Hoti

“Personalisht frikësohem për të ardhmen fëmijëve të mi në një Qeveri që do të qeveriset nga Albin Kurti. Unë personalisht kam frikë që Dardan Molliqaj do të merr një pozicion për të ardhmen e fëmijëve të mi”. Këto janë fjalë të cilat i tha deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, në një debat televiziv, të mbajtur me datën 28 korrik, në transmetuesin publik RTK, ku vetë Blerta kishte punuar deri në vitin 2010, e më pas siç raportojnë mediat, ia “trashëgoi” vendin e punës vëllait të saj, Taulantit, puna e të cilit është si zyrtar i prokurimit.

Taulanti është vëllai i vetëm i Blertës. Por, Blerta dhe Taulanti kanë edhe tre motra: Valmirën, Yllkën dhe Zanën. Valmira më herët ka punuar si zyrtare e prokurimit, e më pas e financave, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kurse më pas vendi i saj i punës bëhet Kuvendi i Kosovës, ku ajo përzgjedhet si zyrtare e lartë për kontrata. Ndërsa, Yllka, motra tjetër, nuk punon e as nuk jeton në Kosovë sepse së bashku më bashkëshortin, Korabin, për një kohë ka jetuar në ShBA, ngase Korabi ka qenë konsul në ambasadën tonë atje, e më pas në Budapest, pasi që i shoqi ishte zhvendosur me punë në ambasadën tonë në Hungari. E, Zana, duket se po ashtu ende nuk ka një vend në pune në Kosovë, pasi që është në Chicago, sigurisht duke përfunduar njërin nga nivelet e studimeve.

E bëra këtë digresion –  të nevojshëm – nga fjalët e pakuptimta të Blertës në emisionin “Debat” në RTK, pasi që edhe në këtë emision debatues ku veç debat s’pati, Blerta Deliu vazhdoi me akuzat që partia e saj ka fillluar t’i drejtojë VV’së për punësime partiake në Komunën e Prishtinës, pas zgjedhjeve të fundit kur PDK pësoi debakël, duke humbur 14 deputetë, me të cilët duket se e ka humbur edhe toruan. Është krejt i padobishëm komentimi i këtyre akuzave, jo vetëm për faktin që është shpifje e çështje e stërsqaruar, por, edhe pse, para se gjithash duke ditur përkatësinë partiake të zonjës Deliu. Ajo është pjesë e PDK’së, parti kjo që njihet botërisht për klientelizëm dhe “rehatimin e dajëve” nëpër institucione, dhe kjo dokumentohet ku më mirë sesa në aferën e publikuar nga gazeta hulumtuese “Insajderi”, afera e njohur si “Pronto”. Dhe, nëse shohim institucionet, mjafton të marrim shembull vetëm televizionin publik, dhe me një hulumtim modest, vëren se aty mbi 10 zyrtarë të PDK’së kanë punësuar familjarë dhe njerëz të tjerë të afërt, përfshirë edhe vetë Blertën, e cila po “frikësohet” për të ardhmen e fëmijëve të saj.

E tash, mund t’i kthehemi deklaratës së Blertës, e cila është e martuar me biznesmenin Sabit Kodra, me të cilin kanë pasuri të përbashkët diku mbi 1 milion euro, gjë që e vërteton formulari i deklarimit të pasurisë të saj, i këtij viti, ku veç tjerash, pasqyrohet se vetura e saj ka vlerë prej 20 mijë eruosh, ndërkaq e Sabitit 30 mijë. E po në të njëjtin formular, Blerta prezanton tre llogari kursimesh, një të sajën me rreth 1000 euro kursime, e dy të dy fëmijëve, në të cilat aktualisht kursehen mbi 3800 euro. Me një gjendje të tillë ekonomike dhe gjithë këtë pasuri që ka ajo dhe familja e saj, ku në anën tjetër mbi 30 mijë familje në të njëjtin vend ku jeton Blerta mbijetojnë me asistencë sociale, s’mund të mos pyesësh se nga çfarë njëmend frikësohet Blerta?! A duhet të shqetësohet Blerta për fëmijët e saj të cilët kanë llogari kursimesh, ndërkaq, duke u bazuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në vitin 2016, tregohet se 10.7% të fëmijëve nën 17 vjeç janë të angazhuar në punë e 6.7% e tyre punojnë në kushte të rrezikshme?! Cila është frika e vërtetë e politikanes e cila u bë e tillë ngase dështoi të bëhet artiste, dhe e vetmja lidhje e saj me artin sot është një pagë që e merr nga UP si bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin e Arteve?!

Blerta Deliu-Kodra në fakt nuk frikësohet fare për fëmijët e saj. Me shembullin e dhënë në Komunën e Prishtinës, Blerta e di se me sa kujdes VETËVENDOSJE! i trajton fëmijët, duke iu hapur çerdhe të reja e duke i ushqyer ata që ndjekin mësimet në shkollën fillore. Blerta e di që qeveria e Albin Kurtit do të hapë 160 çerdhe në vend, do të iu japë kifle fëmijëve nga klasa I-V e nga 10 euro shtesa në muaj për gjithë fëmijët nën moshën 17 vjeçare, ndonëse këto mund të mos jenë të nevojshme për fëmijët e Blertës që kanë të ardhura të sigurta. Pra, Blerta e di që qeverisja e VV-së për dallim nga qeveritë më ne krye partinë e saj, i trajton edhe fëmijët me dinjitet sikurse çdo kategori tjetër.

Blerta frikësohet nga vetja, respektivisht veprimtaria e saj dhe e bashkëpunëtorëve të saj që janë përgjegjësit e kapjes së shtetit dhe mjerimit ekonomik e social në vend. Ajo është e vetëdijshme se partia e saj, klani “Pronto”, janë pjesë e krimit dhe korrupsionit që nga organizata ndërkombëtare përshkruhet në nivel endemik. Blerta dhe partia e saj që thirren në vlera të luftës e që përdhosen vlerat e luftës e UÇK’së si askush tjetër, e që nënshkruan kompromise të vazhdueshme me Serbinë në dëm të shtetësisë së Kosovës,  e di që bartin këtë barrë të rëndë përgjegjësie mbi supe.

Si mos të frikësohet Blerta e cila na shfaqet e frustruar e duke bërtitur nepër debate, ku dihet ndikimi i saj për punësimin e familjarëve në institucionet publike?! Blerta, që deshi të bëhej aktore e aktrimin e ushtroi vetëm në skenat ku shtirej si e alivanosur nga gazi lotsjellës në Kuvend, do të mbahet mend se pikërisht në këtë Kuvend ajo dhe bashkëpartiakët e saj çuan dorën kundër ligjit që kishte për qëllim njohjen e statusit për gratë e dhunuara gjatë luftës. Kolegët në Parlament, atë do ta kujtojnë edhe për presionin që ka bërë tek deputetet e grupit të saj parlamentar për ta zgjedhur kryetare të Grupit të Grave Deputete. E sa ishte në këtë pozicion, ajo do të mbahet mend edhe për skandalin me fshehjen e ftesave që Kuvendi i Shqipërisë i kishte dërguar për deputetet nga Kosova, për një aktivitet të përbashkët atje. Vetëm për ndonjë gjë të mirë nuk mbahet mend Blerta, sikurse edhe partia e saj. Prandaj, ajo është e frikësuar. Për veten dhe PDK’në. Kjo është frika e vërtetë e Blertës e cila nuk shprehet tek fjalitë me të cilat filloi ky shkrim.

 

Shpërndaje në: