Franca shpërblen dramën e Kosovës që godet mohuesit e gjenocidit

Franca shpërblen dramën e Kosovës që godet mohuesit e gjenocidit

Në garë me 400 drama nga të gjitha anët, “The Handke Projekt” me autor dramaturgun, Jeton Neziraj dhe përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt, ka marrë Çmimin për dramën më të mirë të huaj. Dhe atë në konkursin më të madh të Francës, “Journées de Lyon des Auteurs de Théâtre”. “Që ‘The Handke Project’ ka fituar në këtë konkurs për dramën më të mirë të huaj, mes atyre 400 dramave është padyshim një nder për mua”, ka thënë Neziraj. Përkthyesi Gricourt ka thënë: “ky Çmim përfaqëson një mirënjohje të madhe për një autor të Kosovës si Jeton Neziraj, i cili tash e tutje u vendos mes autorëve të famshëm evropianë në fushën e teatrit”
Drama “The Handke Project” ka marrë edhe një vulë ndërkombëtare. Kësaj radhe atë të konkursit më të rëndësishëm të Francës sa u përket dramave, “Journées de Lyon des Auteurs de Théâtre” (Ditët e Lyonit të Autorëve të Teatrit). Në këtë konkurs, “The Handke Project” me autor dramaturgun, Jeton Neziraj dhe përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt, ka marrë Çmimin për dramën më të mirë të huaj. Sipas organizatorëve, në konkurs kanë marrë pjesë 400 drama. Organizatorët e konkursit kanë njoftuar se të gjitha dorëshkrimet janë lexuar të paktën dy herë.

“Pas fazave të ndryshme të eliminimit, 23 tekstet e mbetura u lexuan gjatë verës nga 25 anëtarët e jurisë”, shkruhet në njoftim. “The Handke Project” si vepër që zhvesh mohuesin e gjenocidit dhe përkrahësin e Slobodan Milosheviqit, nobelistin Peter Handke, bën thirrje për distancim nga krejt ata që mohojnë krime dhe përkrahin kriminelë.

Ky sukses i dramës vjen në muajin kur shfaqja e bazuar në këtë tekst u shpall më e mira në një festival prestigjioz në Mal të Zi, përkundër nacionalistëve serbë dhe mediave përkrahëse që shfaqjen e etiketuan si “sulm terrorist”.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se konkursi frankofon “Journées de Lyon des Auteurs de Théâtre” është padyshim më i rëndësishmi në fushën e shkrimit teatror në Francë.

“Që ‘The Handke Project’ ka fituar në këtë konkurs për dramën më të mirë të huaj, mes atyre 400 dramave është padyshim një nder për mua. Padyshim, i jam shumë mirënjohës përkthyesit të palodhur, Sébastien Gricourt që e ka përkthyer dramën në frëngjisht, por po ashtu, i jam mirënjohës edhe botuesit tim atje, Dominique Dolmieu, shtëpia botuese të cilit, ‘Éditions l’Espace d’un Instant’, deri më tani ka botuar 10 drama të mia”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, përderisa disa botues gjermanë të teatrit të cilët i kishte kontaktuar, patën hezituar ta botonin këtë dramë, duke e konsideruar si “shumë polemizuese”, Dolmieu vendosi ta botojë pa hezitim, bashkë me dramën tjetër “Kthimi i Karl Majit”, po ashtu e përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt.

“Ky Çmim i rëndësishëm, për dramën që pritet të botohet, është një fillim i mbarë, por se cila do të jetë jeta e saj teatrore atje, ngelet të shihet”, ka thënë Neziraj për KOHËN.

Ndërsa përkthyesi Sébastien Gricourt ka thënë se Çmimi për “The Handke Projekt” ka disa domethënie.

“Pas një konkurrence të madhe – 400 tekste për një konkurs të tillë të njohur në botën teatrore franceze – dhe vetëm një përkthim u dallua, ky Çmim përfaqëson një mirënjohje të madhe për një autor të Kosovës si Jeton Neziraj, i cili tash e tutje u vendos mes autoreve të famshëm evropian në fushën e teatrit”, ka thënë ai. Sipas Gricourt, ky çmim i ri – që vjen sivjet pas atij në fillim të vitit për Çmimin e parë të “Pen Club” për përkthimin e përbashkët me Evelyne Noygues për “Fluturim mbi teatrin e Kosovës” por edhe pas botimit të “a.y.l.a.n” në revistën e famshme UBU në qershor – shënon një kontribut të ri në imazhin e jashtëm të Kosovës, si dhe frankofonisë. Sipas tij, në këtë mënyrë luftohet kundër paragjykimeve dhe paditurisë.

“Por në veçanti, ky tekst ‘The Handke Project’ jep një ndriçim të nevojshëm në vazhdimin e mohimit të krimeve të luftës dhe të njerëzimit dhe të veprimeve gjenocidale (këtu nga ana e një çmimi ‘Nobel’ të letërsisë) që u kryen nga Serbia në Bosnjë si dhe në Kosovë”, ka thënë ai për KOHËN. Sipas Gricourt, është shumë e domosdoshme që të bëhet e njohur vazhdimësia e këtyre mohimeve në një botë evropiane ku vetëm po rritet e djathta ekstreme, e cila mbështet këto rryma, dhe ku, “për hir të gjetjes se një zgjidhjeje në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë ekziston prirja për ta lënë, për të mos thënë të harruar, të kaluarën e pafalshme…”

“Sa për këtë vepër të përkthyer, do ta përshkruaja si një tjetër vepër universale të autorit i cili shtron pyetjen kyçe: Cili është roli i artistit, cila është përgjegjësia e tij/saj para shoqërisë dhe para së vërtetës? Deri ku artisti/ja mund të quhet artist e kur i mbyll sytë kaq shumë mbi realitetin e pamohueshëm deri te pika kur bëhet mohuesi/sja dhe bashkëmbështetësi/ja i/e kriminelëve të luftës? Pra, na doli tani ne frëngjisht një vepër e cila do të mbajë gjallë kërkesën për drejtësinë ende aq të pritur në Ballkan”, ka thënë Gricourt.

Ky sukses i dramës, vjen pak ditë pasi Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) në Mal të Zi e ka vlerësuar shfaqjen “The Handke Project” si më të mirën në edicionin e sivjetmë të Festivalit. Është përshkruar si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet. Pos kësaj, Çmimi aktori më i mirë i ka takuar aktorit nga Kosova me karrierë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj.

“Kjo shfaqje është një përballje e dhimbshme me enigmën shekullore të pozicionimit të krijuesve dhe intelektualëve kundër pushtetit – duke vënë në dukje përgjegjësinë problematike të intelektualëve. Projekti ‘Handke’ është e kundërta e paradigmës. Ansambli i shfaqjes i drejtuar nga Blerta Rrustemi-Neziraj krijoi një shfaqje që është një mozaik skëterrë, që na lë të habitur”, shkruhet në arsyetimin e jurisë së Festivalit në përbërje të shkrimtarit dhe drejtorit të Teatrit të Qytetit të Podgoricës, Stevan Koprivica (kryetar), dhe anëtarëve Jelena Miniq, aktore e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, dhe Edin Jasharoviq, producent dhe dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinjë.

Edicioni i 38-të i Festivalit me traditë sivjet është mbajtur prej 8 deri më 17 shtator. Për ekipin e shfaqjes “The Handke Project”, që është një produksion ndërkombëtar, Çmimi është një vlerësim i madh.

Jo pak zhurmë kishin bërë qarqet nacionaliste serbe pas dhënies së shfaqjes në Podgoricë. Mediat nacionaliste menjëherë kishin nisur propagandën për kapitull të kërcënimeve për “tradhti, fushatë antiserbe a skandal” e deri te cilësimet se ky qe një “sulm” me një shfaqje nga “Kosova terroriste”. Titujt sensacionalë, si ai “Skandal në Mal të Zi! Shqiptarët nga Kosova e Metohia në Podgoricë organizojnë shfaqjen antiserbe”, i tabloidit “Alo.rs” qenë të pranishëm. Aty shënjestrohet edhe dramaturgia serbe, Bilana Srblanoviq, që ka bashkëpunuar me ekipin e shfaqjes. Po ashtu, edhe institucioni nikoqir i shfaqjes në kryeqytetin e vendit të shkëputur prej Serbisë më 2006, anëtar i NATO-s e aspirues për Bashkimin Evropian, por që shpesh sfidohet edhe prej partive parlamentare serbe, të cilat në programe kanë edhe tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Ka pasur komente edhe për reagimet nga mediat proqeveritare serbe, “sërish rojë duke bërë punën e tyre propagandistike”.

Përshkrimet e shfaqjes, media të tilla i kanë pasur gati, pasi me po të njëjtën gjuhë ishin vënë në sulm edhe qershorin i vjetëm, kur shfaqja ishte dhënë edhe në Beograd, në teatrin “Bitef”.

“Cirkusi udhëtues paradramatik ‘Projekti Handke’, prapa të cilit qëndrojnë forcat e bashkuara, serbët e dytë autoshovinistë dhe fundamentalistë, ka ateruar në Podgoricë”, ka shkruar “Alo.rs”. Shfaqjes i jepte turlifarë epitetesh dhe “ia gjen” edhe synimin që “është ashiqare”.

Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur Masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në atë masë që Handke i ndryshon edhe situatat që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij, Nermin, të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”. “The Handke Project” është produksion i Qendrës Multimedia në bashkëpunim me “Mittelfest & Teatro della Pergola” (Itali); Teatrin e Dortmundit (Gjermani); Teatrin Kombëtar të Sarajevës dhe Festivalin ndërkombëtar të teatrit “Scene MESS” (Bosnjë- Hercegovinë). Pos Malit të Zi dhe Serbisë, shfaqja është dhënë edhe në Itali e Gjermani.

Shpërndaje në: