Franca paralajmëron Donald Trump kundër kërcënimit të “kufijve sovranë” të BE-së

Franca paralajmëron Donald Trump kundër kërcënimit të “kufijve sovranë” të BE-së

Franca ka paralajmëruar Donald Trump që të mos kërcënojë “kufijtë sovranë” të Bashkimit Europian pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së nuk përjashtoi veprimet ushtarake për të marrë kontrollin e Grenlandës, një territor autonom i Danimarkës, e cila është anëtare e BE-së.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha për radion France Inter: “Nuk vihet në pyetje që BE-ja të lejojë vendet e tjera në botë, kushdo qofshin ata, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë”.

Ai shtoi se megjithëse nuk besonte se SHBA “do të pushtonte” Grenlandën “ne kemi hyrë në një epokë që po sheh kthimin e ligjit të më të fortëve”.

Në një konferencë shtypi një orëshe të martën, Trump refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Kanalin e Panamasë dhe Grenlandën dhe sugjeroi se ai synonte të përdorte “forcën ekonomike” për ta bërë Kanadanë pjesë të SHBA-së, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Djali i tij i madh Donald Trump Jr fluturoi në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, një vizitë që e quajti private menjëherë pas deklaratave të Donald Trump. Ai qëndroi disa orë dhe tha se nuk ka ndërmend të takohet me zyrtarë të qeverisë.

Muajin e kaluar Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, tha se kontrolli i SHBA-së mbi Grenlandën ishte një “domosdoshmëri absolute” për “sigurinë ekonomike” të Amerikës.

Grenlanda, një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, por që iu dha sundimi i vendit në vitin 1979, e ka informuar Trumpin se nuk është në shitje.

Mette Frederiksen, kryeministrja daneze dhe Múte Egede, kryeministri i Grenlandës, kanë thënë të dy se varët nga grenlandezët të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Ka shumë mbështetje në mesin e popullit të Grenlandës që Grenlanda nuk është në shitje dhe nuk do të jetë as në të ardhmen. Grenlanda i përket popullit të saj”, tha Frederiksen.

Grenlanda, e cila ka një popullsi prej rreth 57,000 njerëz, është ishulli më i madh në botë. Që nga viti 2009, ajo ka të drejtë të mbajë një referendum për të vendosur nëse dëshiron të jetë e pavarur. Egede është anëtar i partisë pro-pavarësisë Komuniteti i Popullit (IA).

Egede tha javën e kaluar Grenlanda “nuk është në shitje dhe nuk do të jetë kurrë në shitje”.

Barrot i kërkoi gjithashtu BE-së t’i rezistojë kërcënimeve nga Elon Musk kundër një numri liderësh europianë, veçanërisht kancelarit socialdemokrat të Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Nëse Komisioni Europian nuk di se si të na mbrojë nga kjo ndërhyrje ose këto kërcënime ndërhyrjeje, atëherë ai duhet t’u japë shteteve anëtare, përfshirë Francën, aftësinë për të mbrojtur veten”, tha Barrot.

Shpërndaje në: