Franca mbështet Lajçakun “në kuadër të aplikimit për anëtarësim të Kosovës”
Franca i ka shprehur mbështetjen emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, për punën e tij në ndërmjetësimin në dialogun Kosovë-Serbi “në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës”.
“Franca shpreh mbështetjen e saj për mandatin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës”, ka thënë misioni i Francës në Këshill të Europës përmes një postimi në X ku tregon edhe për një takim të mbajtur e ku pjesëmarrës ishte edhe Lajçak.
Franca ishte ndër shtetet që e kushtëzuan Kosovën me nisjen e themelimit të Asociacionit me anëtarësimin në KiE. Pasi Qeveria e Kosovës e refuzoi këtë kusht, Kosova nuk hyri në agjendën e një takimi të Komitetit të Ministrave muajin e kaluar – takim nga i cili u prit që të merrej vendimi final mbi kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare e organizatës./Express/