Formacioni i mundshëm i Rumanisë dhe ‘rreziqet’ kryesore për Kosovën
Kombëtarja e Kosovës do të nis të premten një kampanjë të re, atë të Ligës së Kombeve, edicioni 2024/25.
Me në krye Franco Fodën, “Dardanët” do të kenë përballë dy sfida, së pari me Rumaninë e pastaj edhe me Qipron, shkruan “Gazeta Express”.
Te Rumania kanë ndodhur ndryshime gjatë kohëve të fundit – edhe pas një suksesi historik në “EURO 2024” – duke ndryshuar trajnerin dhe duke ftuar lojtarë që i mungonin tash e një kohë kësaj kombëtareje.
Trajnerin Edi Iordănescu e zëvendësoi Mircea Lucescu (79-vjeçar), i cili u rikthye për periudhën e tij të dytë te Rumania – e para qe në vitet 1981 – 1986.
Trajneri veteran, Lucescu, ka ftuar Alexandru Mitritan e Universitatea Craoiva, që ka 18 ndeshje e tri gola me Rumaninë.
Ai nuk ishte ftuar për dy grumbullimet e kaluara për shkak të mosmarrëveshjeve me ish-selektorin Edi Iordanescu.
Te Rumania është kthyer edhe Alexandru Chipciu, mbrojtësi i Universitatea Cluj, që ka 45 ndeshje e gjashtë gola me kombëtaren e “Tri Kolorëve”. Ai nuk ishte ftuar për plot pesë vjet.
Iulian Cristea është tjetër lojtar i kthyer, gjersa ai nuk ka luajtur për Rumaninë që nga viti 2022.
Mihai Lixandru i FCSB-së është ftuar për herë të parë dhe mund të debutojë ndaj Kosovës.
Janë shtatë lojtarë që ishin me Rumaninë në Europianin e Gjermanisë që nuk janë ftuar për këto dy ndeshje.
Mediat rumune gjatë ditëve të fundit kanë parashikuar edhe formacionin e mundshëm, në misionin e ri të trajnerit Lucescu në krye të Rumanisë.
Besohet se portieri i FCSB-së, Tarnovanu do të startojë para veteranit Nita, i cili e pati të vështirë të gjejë një ekip këtë verë, edhe pas një paraqitje të madhe në kampionatin europian.
Te krahu i djathtë thuhet se s’do diskutim nisja e ndeshjes me Andre Ratiu të Rayo Vallecanos, derisa në qendër të mbrojtjes pritet të paraqiten Dragusin e Burca, ndërsa në të majtë do të zë vendin startues Bancu – i vetmi mbrojtës i majtë te Rumania.
Rumania e Europianit luajti me sistemin 4-1-4-1, derisa sistemi i preferuar i trajnerit Lucescu është 4-2-3-1.
Pak mbi mbrojtjen, me detyra defanzive, pritet të luajë nga minuta e parë në Prishtinë i zakonshmi Marin.
E katërshja e mesfushës/sulmit do të jenë pjesa më e rrezikshme për Kosovën në këtë ndeshje.
Madje, dyshja e Parma, Denis Man dhe Valentin Mihaila, janë lojtarët që Kosova duhet t’i bëj “sytë katër”. Nëse s’ju besohet, pyesni tifozët e Milanit dhe Napolit (këta të fundit, nëse ka).
Në tri ndeshje, Mihaila ende s’e ka gjetur golin me Parmën, por ka qenë rrezik permanent për mbrojtjen kundërshtare. Gjatë këtyre tri ndeshjeve, sulmuesi rumun ka pasur një pritshmëri për gol (xG) prej 1.2, derisa nuk është frikësuar edhe të godasë topin nga çdo cep.
24-vjeçari del të jetë i saktë edhe në pasime në terrenin e kundërshtarit, duke pasur të saktë mesatarisht 10 të tillë për ndeshje.
Mihaila s’i përton as kthimit në mbrojtje, duke arritur që të ketë një mesatare prej dy ndërhyrjesh për ndeshje dhe një mesatare prej 1.2 të topave të rikuperuar.
Mirëpo, askush s’është perfekt. Mihaila e ka një mesatare të topave të humbur prej 7.7 për ndeshje.
Mihaila i pati shënuar Kosovës në duelin e shtatorit të vitit të kaluar.
Në anën e djathtë të fushës, operon Dennis Man, i cili statistikisht është më i rrezikshëm se bashkëkombasi i tij.
Man në emrin e tij ka 2 gola deri më tani në Serie A, duke i shënuar Milanit dhe Fiorentinës.
26-vjeçari është i njohur për stilin prej “playmakeri”, ndërsa topat e gjatë dhe presingu i lartë janë disa pika që e veçojnë atë, e që do të jetë një problem i madh për Paqaradën apo kushdo që luan në anën e majtë të Kosovës.
Dennis Man po ashtu është i mirë edhe në mbrojtje, duke qenë një ndihmesë e madhe për Ratiu, derisa edhe ky ka problem me humbje të shpeshtë të topit.
Man ka 7 gola në 28 paraqitje me Rumaninë në të gjitha garat.
Prapa sulmuesit do të luajë Nicolae Stanciu (që i pati shënuar Kosovës në ndeshjen e vitit të kaluar) dhe Ravan Marin, edhe këta të pasdikutueshëm.
E për të kompletuar formacionin, për ndeshjen ndaj Kosovës, pozitën e sulmuesit qendror pritet ta zë Denis Dragus i Trabzonspor.
Dragus ka vetëm një gol në tetë paraqitje këtë edicion të garave.
Rrezik për Kosovën nga banka e rezervë mund të jetë edhe Florinel Coman, i cili ka dy gola në dy ndeshje në Katar.
Kjo do të jetë hera e tretë që këto dy kombëtare do të përballen.
Në kualifikimet për “EURO 2024”, Kosova e Rumania ishin përballur dy herë.
Më 16 qershor të vitit të kaluar në Prishtinë, ndeshja kishte përfunduar 0:0. Më pas më 12 shtator në Bukuresht, rumunët fituan 2:0.
Formacioni i plotë:
Rumania: Târnovanu (GK) – Rațiu, Drăgușin, Burcă, Bancu – M. Marin – D. Man, Stanciu (C), R. Marin, Mihăilă – Drăguș
Ndeshja do të luhet të premten më 6 shtator në “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45.