Fondaj: Veseli ka qenë jashtë Kosovës, kontakti i parë me atë ka qenë në prill 1999
Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli kontaktin e parë kur ai ishte emëruar udhëheqës i Zbulim Kundërzbulimit e kishte pasur në prill të vitit 1999.
Fondaj tha se në këtë cilësi, kontaktin e parë me Veselin e kishte pasur në fund të muajit prill dhe se deri atëherë nuk e dinte që është kthyer në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kur u shku nuk e di, por realisht unë diku e kam taku në muajin prill 1999. Deri atëherë nuk kam qenë në dijeni që është kthy dhe kontakti i parë që kam pasur me atë ka qenë në fund të muajit prill”, tha dëshmitari.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument i marsit të 1999-ës, në të cilin Halil Çadraku dhe Sadik Halitjaha kishin bërë ankesë në Shtabin e Përgjithshëm. Për këtë, dëshmitari tha se data e këtij dokumenti nuk përkon me periudhën kur Veseli ka qenë në territorin e Kosovës.
“Vetëm e di që ai nuk ka qenë në territor të Kosovës. Kaq”, tha Fondaj.
Dëshmitari tha se është i vetmi dokument që dëshmitari kishte parë që Çadraku ia kishte dërguar Shtabit të Përgjithshëm. Ai shtoi se nuk dinte për punën dhe veprimtarinë e Çadrakut.
“Këtë dokument pas luftës e kam pa dhe s’e kam pa gjatë fazës së luftës dhe po është i vetmi dokument. Unë nuk kam informacion dhe s’e di për veprimtarinë dhe punën e tij…Unë nuk kam qenë në dijeni të punës së Çadrakut, por vetëm informacionin që e bazoj unë është në këtë dokumentin që ju mbani në dorë. Nuk kam dyshu që ai nuk po punon dhe ka punu keq, por lëshimet i ka bërë prej mosdijes. Kur njeri nuk di vjen tek injoranca dhe mosdija. Nuk besoj që ka pas ndonjë tendencë të caktume”, tha dëshmitari.
Tutje, avokati Veselit, Ben Emmerson e pyeti dëshmitarin se a është e drejtë të thuhet se në rast që Çadraku mund të ketë folur në ndonjë rast privatisht me ndonjë nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, nuk ka pasur mundësi që ky person të jetë Veseli për shkak se ai në atë periudhë nuk ka qenë në Kosovë.
“Është e vërtetë që Veslei nuk ka qenë në Kosovë në atë periudhë”, u përgjigj Fondaj.
Tutje, Emmerson i tha dëshmitarit se a pajtohet të thuhet që ky dokument i prezantuar është thjesht një dokument me ankesa për funksionin e brigadës dhe jo që ka qenë ndonjë përmbajtje me informacion zbulimi apo inteligjencës, pra është ankesë për komandantin e zonës.
“Realisht është i titullum edhe si një deklaratë. Nuk është raport”, tha Fondaj.
Tutje, me pyetje për këtë dëshmitar vazhdoi mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts.