Fondaj tregon se kujt i ka raportuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, flet edhe për Policinë Ushtarake
Dëshmitari Kurtesh Fondaj ka folur në Hagë për periudhën e nëntorit 1998 e tutje kur edhe kishin realizuar disa takime në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se kishte marrë pjesë në dy-tri takime, e që i kishin raportuar Salih Veselit.
“Gjatë periudhës së nëntorit, komandantët e brigadave, kanë referu në Shtab të Përgjithshëm dhe kanë pasur takime të rregullta javore. Në 2-3 takime kam marrë pjesë edhe unë së bashku me komandantët e tjerë të brigadave të Zonës Operative të Pashtrikut. I kemi raportu Salih Veselit që ka qenë zëvendës i shefit të Shtabit të Përgjithshëm…Dhe takimet përgjithësisht në atë periudhë i ka mbajtë Salih Veseli. Edhe një herë po e përsëris se me Selimin nuk jam taku më gjatë luftës përveç atyre dy rasteve që i përmenda”, tha Fondaj.
Ai tha se të gjitha të dhënat dhe referencat që i kanë përcjellë gjatë asaj kohe në Shtabin e Përgjithshëm, kanë qenë të karakterit operativ. Pohoi se nuk e di me siguri nëse Salih Veseli i ka ndarë me anëtarët e tjerë të shtabit referencat që ka marrë nga vetë ai.
“Nuk ka qenë punë e jemja për me u marrë me atë problematikë”, tha ai.
Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts e pyeti dëshmitarin për një dokument që është përgatitur nga vetë ai më 10 nëntor 1998 drejtuar Policisë Ushtarake, në të cilin kishte pretenduar që janë disa persona që paraqiteshin si Polici Ushtarake dhe ishin në komandën e Ukë Gegajt.
Pas kësaj, Roberts tha se dëshmitari kishte deklaruar se disa ushtarë të Policisë Ushtarake kishin shkuar në Nishor në një dokument që kishte vulën e Ukë Gegajt, ku kërkohej një automjet i tipit “Land Rover” që t’i jepej Brigadës 121.
“Ukë Gegaj ka qenë brenda Brigadës 121, por e përdorë një vulë që është nga Policia Ushtarake e Shtabit të UÇK-së”, tha Fondaj.
Ai shtoi se kjo e bëri që të kishte dyshime në këtë dokument për çka edhe e njoftoi Shtabin.
Dëshmitari mohoi të ketë marrë urdhra ndonjëherë nga drejtoria e Policisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm.
“Unë nuk kam marrë urdhra nga Drejtoria e Policisë Ushtarake, (edhe nëse do të ndodhte) me siguri do ta njoftoja shefin e Shtabit për interferim, respektivisht për ndërhyrje nga persona të paautorizuar”, tha ai.
Dëshmitari pohoi se Drejtoria e Policisë Ushtarake në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm nuk ka pasur funksionin që të lëshojë urdhra për drejtoritë e Policisë Ushtarake nëpër brigada dhe se një gjë të tillë është dashur ta bëjë komandanti i tyre.
Në seancën përgatitore me ZPS-në, dëshmitari kishte thënë se askush nuk i kishte njoftuar se kur është krijuar Drejtoria e Policisë Ushtarake në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm dhe as që nuk ka qenë pjesë e saj.
Avokati Aiden Ellis në kuadër të mbrojtjes së Jakup Krasniqit i filloi më pas pyetjet për dëshmitarin.