Foda: Kundër Qipros do të luajmë sikur kundër Lituanisë
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se Qipro është një ekip dinamik, por e ka shprehur besimin se Kosova është e përgatitur për këtë sfidë.
Në një konferencë për media të mbajtur para ndeshjes së radhës kundër Qipros, Foda ka kërkuar të mbajë të njëjtën energji dhe mendësi si në ndeshjen kundër Lituanisë.
“E dimë që Qipro e ka ndërruar trajnerin, por ne duhet të luajmë sikur në Lituani, me energji dhe me mendësi të njëjtë. Qipro luan lojë mjaft dinamike, por ne jemi të përgatitur dhe presim të fitojmë”, ka thënë Foda. “Duhet të fitojmë kundër Qipros, por gjithashtu ka rëndësi për ne edhe rezultati i ndeshjes Lituani – Rumani. Gjithsesi, ne synojmë fitore edhe në Rumani në nëntor”.
Foda është shprehur i kënaqur me paraqitjen që ekipi tregoi në ndeshjen e kaluar kundër Lituanisë, ku Kosova ka dominuar lojën. “Në ndeshjen e kaluar kemi treguar mjaft cilësi. Jemi përpjekur që ta vëmë kundërshtarin nën presion sa më herët, kemi bërë agresivitet në lojë, e kemi qarkulluar mirë topin. Një mangësi e jona ka qenë që nuk kemi arritur të shënojmë më shumë gola”, ka thënë ai.